Osmani: Linja ajrore Shkup-Sarajevë ekonomikisht nuk është profitabile

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani mbërriti në BeH në një vizitë zyrtare, ku me zyrtarët boshnjakë bisedoi për temat dypalëshe dhe rajonale.

Vendosja e linjës ajrore direkte ndërmjet Sarajevës dhe Shkupit është ekonomikisht joprofitabile, por po kërkohen mënyra për subvencionimin e saj, tha sot në Sarajevë ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në BeH, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai gjatë konferencës së përbashkët për media me ministren e Jashtme të BeH-së, Bisera Turkoviç tha se Maqedonia e Veriut dhe BeH kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të ngushta, por se krerët politikë kanë një detyrim të forcojnë marrëdhëniet duke zgjeruar bashkëpunimin në nivelet dypalëshe dhe rajonale.

Ai iu referua edhe çështjes së vendosjes së linjës ajrore direkte Sarajevë-Shkup, duke theksuar se ky projekt i paralajmëruar prej kohësh është shtyrë për shkak të joprofitabiletit ekonomik.

“Sot kemi biseduar me ministren Turkoviç se si dy shtete mund të subvencionojnë një linjë të tillë. Duhet gjetur një mënyrë për të subvencionuar këtë formë komunikimi, pavarësisht se nuk jep rezultat ekonomik, në kuadër të iniciativës rajonale, me mbështetjen e BE-së”, tha Osmani.

Osmani sot në Sarajevë tha se siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i BeH-së janë në interes të drejtpërdrejtë të të gjitha vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Si një vend mik, dëshiroj të shpreh angazhimin tonë të vendosur me të cilin mbështesim pa mëdyshje sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të BeH-së, në përputhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot kur i gjithë kontinenti po përballet me një krizë sigurie të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, e cila ka shkaktuar shqetësime edhe në rajonin tonë. Siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i BeH-së është sigurisht më i rëndësishmi për qytetarët e saj, por në kontekstin rajonal është në interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë neve, fqinjëve të drejtpërdrejtë dhe të afërt”, tha Osmani.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut do të mbështesë pa rezerva integrimin euro-atlantik të BeH-së si dhe përshëndeti krijimin e Komisionit për Bashkëpunimin me NATO-n dhe inkurajoi zyrtarët e BeH-së që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për zbatimin e përgjithshëm të programit të reformës në këtë drejtim.

“Pavarësisht se ne kemi qenë vend kandidat për më shumë se 15 vjet, procesi i integrimit evropian është një shtysë e fortë për zbatimin e reformave që janë thelbësore për qytetarët dhe është mënyra më e mirë për të gjitha vendet e rajonit për arritjen e vlerave të qytetërimit evropian”, tha Osmani.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut është në një fazë intensive të bisedimeve për të kapërcyer mosmarrëveshjet me Bullgarinë fqinje me “qëllimin për të hapur negociatat”.

Osmani tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë udhëheqjen strategjike në rajon, në mënyrë që të rikthehet kohezioni midis kombeve dhe rrjedhimisht perspektiva evropiane.

“Agresioni rus ka treguar në mënyrën më të mirë rëndësinë e integrimit, që sot Evropa të jetë e bashkuar dhe e sigurt”, tha Osmani.

Ai tha se pret që Franca, e cila mban kryesimin e Këshillit të BE-së, të marrë përgjegjësinë për anëtarësimin e rajonit në BE, por tha se është i vetëdijshëm se kjo nuk varet vetëm nga Franca, e cila ka treguar vullnetin e saj, për faktin se vendimet në BE merren me konsensus.

Ministri Osmani, sot në Sarajevë është pritur nga kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç.

Kategoritë
LajmeRajoni