Osmani: NATO duhet të rrisë angazhimin në Ballkanin Perëndimor

“NATO duhet të rrisë angazhimin në Ballkanin Perëndimor që të përforcojë stabilitetin dhe sigurinë në krahun juglindor”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani para takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel deklaroi se Aleanca duhet të përforcojë partneritetin me Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se kjo mbledhje është “një mundësi e mirë për të dhënë mesazh të fortë të unitetit të NATO-s” lidhur me mbrojtjen e sigurisë euro-atlantike kundrejt luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës.

“Ne jemi të bashkuar në dënimin e Rusisë dhe për të treguar solidaritet me popullin ukrainas. Mendojmë se të gjitha aspektet e situatës së krijuar rishtazi duhet të pasqyrohen në konceptin e ardhshëm strategjik. NATO duhet të përforcojë partneritetin me BE-në dhe demokracitë me të njëjtin mendim”, tha Osmani duke shtuar se:

“Në të njëjtën kohë duhet të rrisë angazhimin në Ballkanin Perëndimor që të përforcojë stabilitetin dhe sigurinë në krahun juglindor”.

Kategoritë
BotaLajme