Osmani pas fitores së Vuçiç: Vazhdon mentaliteti i viteve të 90-ta në Serbi

“Për fat të keq edhe të Serbisë, por edhe të rajonit, nuk ka një ndryshim pozitiv në kontekst të mentalitetit që udhëheqë Serbinë”, tha Osmani

Rizgjedhjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar si fatkeqësi për vet Serbinë dhe rajonin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media ku foli për punët në njëvjetorin e saj si presidente, Osmani tha se Serbia me presidentin Vuçiç do të vazhdojë me mentalitetin e viteve të 90-ta.

“Për fat të keq edhe të Serbisë, por edhe të rajonit, nuk ka një ndryshim pozitiv në kontekst të mentalitetit që udhëheqë Serbinë. Pavarësisht a flasim për të djathtën, a për të majtën apo për qendrën, për fat të keq vazhdon një mentalitet i viteve të 90-ta, ku Serbia vazhdon t’i shoh shtetet e tjera në rajon, në veçanti Republikën e Kosovës, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën si shtete të përkohshme. Mirëpo besoj se tashmë e kanë të qartë se të treja këto shtete janë shtete të përhershme”, theksoi Osmani.

Osmani tha se pavarësish rolit destabilizues që Serbia si satelit i Rusisë vazhdimisht e luan në rajon dhe në Kosovë, askush nuk e ka ndërmend që të heq dorë nga e drejta si vend i lirë, sovran, i pavarur dhe i barabartë.

Sa i përket çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe ndikimit të tyre në procesin e dialogut, Osmani tha se ka qenë Serbia e cila ka mohuar të gjitha mundësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të ofruara nga Kosova.

Ajo tha se meqë tani nuk do të ketë zgjedhje në asnjërën palë, shpreson që procesi i dialogut do të ketë intensitet më të lartë.

“Pritjet tona janë shumë të mëdha nga Bashkimi Evropian dhe natyrisht institucionet e Kosovës do të kontribuojnë në këtë drejtim mirëpo nuk mund të them se kemi pritje optimiste sa i përket sjelljeve të Serbisë. Ky është proces megjithatë që ne duhet të angazhohemi vazhdimisht dhe ta japim më të mirën tonë sepse duhet të përqendrohet në njohjen reciproke dhe ky është interes i Kosovës”, tha Osmani.

Tutje, Osmani tha se institucionet kosovare kanë dakordim për të aplikuar në Këshillin e Evropës gjatë këtij viti, teksa theksoi se janë në fazën e fundit përgatitore për aplikim dhe po punojnë me partnerët që “periudha e anëtarësimit të jetë sa më e shkurtër”.

Më herët, presidentja Osmani foli për punët, takimet dhe të arriturat e saj si presidente në një vjetorin e marrjes së detyrës. Ajo tha se gjatë gjithë këtij viti, fokus i Presidencës ka qenë interesi shtetëror dhe përfaqësimi i qytetarëve.

Kategoritë
LajmeVendi