Osmani për aksidentin tragjik të autobusit: Procesi i identifikimit të trupave do të zgjasë 7 ditë

Ministri i Jashtëm Osmani ka zhvilluar takim pune me ekipin e prokurorëve bullgarë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka zhvilluar një takim pune me ekipin e prokurorëve bullgarë që po punojnë në hetimin lidhur me aksidentin e autobusit me targa maqedonase që ndodhi dje në Bullgari, transmeton Anadolu Agency (AA).

Osmani në një deklaratë në profilin e tij në Facebook tha se qëllimi i takimit ka qenë që të përcaktohen hapat dhe dinamikat e ardhshme të hetimit për të qenë të përgatitur si institucione.

“U konstatua se ka filluar procesi i identifikimit të trupave të viktimave dhe tashmë janë aktivë ekspertët nga vendi ynë së bashku me kolegët bullgarë. Na u kërkua asistencë në drejtim të grumbullimit të menjëhershëm të materialeve të ADN-së nga të afërmit, procedurë që veç më është në rrjedhë e sipër dhe Ministria e Punëve të Brendshme tashmë po punon në mënyrë aktive në mbledhjen e materialit të këtillë, me qëllim që procesi i identifikimit të përfundojë sa më parë”, tha Osmani.

Siç njoftoi ai, sipas informacioneve të marra nga shërbimet bullgare, procesi i identifikimit të kufomave do të zgjasë shtatë ditë.

“Informacion i rëndësishëm ky për familjet, por edhe për institucionet tona, për organizimin në kohë të transportit të kufomave. Transporti do të jetë tërësisht i mbuluar nga ana e institucioneve tona shtetërore”, deklaroi kryediplomati i Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë komunikimit tim, tërë ditën, me përfaqësuesit e familjeve, i informova edhe për bisedat e fundit me institucionet bullgare, duke iu treguar se në këtë fazë nuk mund të ndahet asnjë informacion individual me ta, për sa kohë që ky proces identifikimi është në vijim e sipër”, shtoi Osmani.

Ministri Osmani tha se kanë biseduar edhe për rrjedhën e hetimeve dhe spekulimet e shumta, për çka bashkërisht kanë konkluduar se në këtë moment nuk i ndihmojnë hetimit dhe si institucione përgjegjëse duhet të fokusohen në faktet dhe procedurat relevante.

Kategoritë
LajmeVendi