Osmani: U thamë jo vaksinave ruse dhe kineze, deshëm t’iu themi jo ndikimeve keqdashëse edhe në kohë të vështirë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se si në kohën kur vendi ishte në mbyllje totale, por edhe tani kur ka më pak raste me COVID-19, emërues i përbashkët për suksesin është besimi i njerëzve ndaj institucioneve.

Ajo në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax, që po mbahet në Kanada, ka deklaruar se tani edhe pse ka rënë numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë nuk është thënë se pandemia ka përfunduar dhe se është larguar rreziku.

“Edhe në kohën kur ishim në bllokim total edhe tani, ne e kemi gjetur se është vetëm një emërues i suksesit dhe ai është besimi i njerëzve në institucione. Qoftë në fillim kur u mbyllëm, qoftë tani kur bëhet fjalë për vaksinat. Duke u siguruar se do ta luftoni në mënyrë efektive dezinformimin, pa marrë parasysh se sa para shpenzoni dhe pavarësisht se cilat janë vendet që po shpenzojnë para për të përhapur dezinformim, del se besimi në institucione ka qenë suksesi i këtij procesi”.

“Tani numrat tanë me rastet aktive të COVID-19 kanë rënë, por kjo nuk do të thotë që do të mbeten kështu. Ne jemi duke parë përreth shembuj në Evropë, por edhe në shtetet që i kemi afër, që numrat e rasteve me COVID-19 janë rritur sërish”.

Ajo ka thënë se njëra nga arsyet e tjera për rritjen e besimit të kosovarëve ka qenë kur institucionet e Kosovës i kanë thënë jo vaksinave ruse dhe kineze, njofton Klankosova.tv.

“Ne e kemi numrin më të madh të të vaksinuarve në rajon dhe më të madh edhe se disa vende të Evropës. Megjithatë për të ardhur këtu ne patëm nevojë për ndihmën e partnerëve tanë. Ne ishim faktikisht shteti i fundit në Evropë që e filluam vaksinimin, sepse ne ishim vendi i vetëm në rajon që u thamë jo vaksinave kineze dhe ruse”.

“Për ne ishte e rëndësishme të sigurohemi që ta luftojmë këtë ndikim keqdashës edhe në kohën më të vështirë. Ishte vendimtare për suksesin tonë. Ne u thamë po vetëm vaksinave që u aprovuan nga FDA dhe EFSA dhe kjo ka ndihmuar për të rritur besimin tek qytetarët tanë që janë më proevropianët, më proamerikanët dhe më prokanadezët. Të sjellësh vaksina nga shtetet që kanë qenë pranë nesh si në kohë te vështira, por edhe në kohë të mira, ka ndihmuar për të rritur besimin e njerëzve tanë”.

Osmani ka përmendur edhe shtetet mike të cilat i kanë dhënë donacione Kosovës kur nuk akoma nuk kishin ardhur kontigjentet e vaksinave të blera.

Kategoritë
LajmeVendi