Paçarizi: S’ka pasë marrëveshje që të jem pjesë e PDK-së, kisha vetëm takime miqësore

Analisti Rrahman Paçarizi gjatë së djeshme ishte përfolur në media se do të jetë pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Paçarizi në Info Magazine deklaroi se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë marrëveshje me dikë nga PDK-ja që të jetë anëtar i kryesisë veçse pohon se ka pasur disa herë takime miqësore, njofton Klankosova.tv.

“Nuk ka pas ndonjë marrëveshje për të qenë pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e di se si ka rrjedh ai informacion”.

“Ftesë kam pas ku kemi biseduar, nuk mund të them se ka qenë ftesë ose ofertë. Por, në këto dhjetë vjetët e fundit kam pasur festa të vazhdueshme nga të gjitha partitë politike veçse ato mbesin në nivelin e ftesave, këshillave miqësore”.

“Mirëpo, nuk është se kemi pasur ndonjë marrëveshje me dikë nga Partia Demokratike të Kosovës që unë të jem anëtar i kryesisë”, deklaroi Paçarizi.

Mes tjerash Paçarizi komentoi edhe zgjedhjen e kryesisë së re të PDK-së që u votua dje në Këshill Drejtues dhe dorëheqjen e Enver Hoxhajt nga kryesia.

“Janë të paqarta arsyet se pse zotëri Hoxhaj mund të dorëhiqej dhe nëse është dëmtuar ai ose partia duhet t’i dimë arsyet. Mendoj se Hoxhaj ka qenë i nevojshëm për Kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Por PDK-ja tashmë ka nevojë t’i ruaj masën elektorale që ka dhe të mund t’i fitojë ata që përkohësisht janë larguar. Mendoj se largimet e tilla një ditë pas zgjedhjes e dëmtojnë partinë. Daljet nga kryesia e dëmtojnë PDK-në dhe nuk përçojnë mesazh mjaftueshëm të mirë”.

Kategoritë
LajmeVendi