Pal Lekaj do të përballet me aktakuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së shpejti pritet të dalë para gjykatës, lidhur me akuzën se në nëntor të 2015-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Aktakuza rezulton të jetë bërë në gjykatë më 1 qershor 2017.

Këtë të enjte ishte e paraparë të mbahej seanca fillestare ndaj Lekajt, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në gjykatë.

Sipas gjykatëses, Edita Çanta, deri më tani nuk ka fletëkthesë nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt apo jo dhe shtoi se gjykata do të presë fletëkthesën e do të veprojë në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Portali ka tentuar të kontaktojë me Lekajn, mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 janar 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.

Kategoritë
LajmeVendi