“Palestina mbi të gjitha, nuk garoj me izraelitë”, tërhiqet xhudisti algjerian

Fethi Nourine është një nga atletët që kishte fituar të drejtën për të përfaqësuar Algjerinë në Lojërat Olimpike të Tokios, që filluan sot dhe do të zgjasin deri më 8 gusht.

Xhudistin e vuri shorti në raundin e dytë përballë Tohar Butbul, rivalit nga Izraeli. Nourine ka vendosur të mos garojë, duke u tërhequr nga Olimpiada. “Nuk përballem me izraelitë.

Kemi punuar shumë për këtë Olimpiadë, por çështja palestineze është më e rëndësishme se gjithçka tjetër“, është justifikimi i sportistit algjerian.

Lajmi është konfirmuar edhe nga trajneri i Nourine: “Nuk kishim fat në short. Fethi duhej të përballej me xhudist izraelit, kjo është arsyeja pse u tërhoq. Mendoj se kemi marrë vendimin e duhur“.

Kjo nuk është hera e parë që xhudisti algjerian vepron në këtë mënyrë. Nourine hoqi dorë edhe nga Botërori i Xhudos së vitit 2019.

Edhe atëherë, shorti e vendosi përballë Butbul, sfidë dhe duel që nuk u zhvillua kurrë dhe nuk ka shanse të zhvillohet ndonjëherë.

Kategoritë
Sport