Palestina: Të ushtrohet presion ndaj Izraelit për të tërhequr forcat e tij nga Xhamia Al-Aksa

Palestina ka kërkuar që ndaj Tel Avivit të ushtrohet presion për tërheqjen e forcave izraelite nga Xhamia Al-Aksa dhe për të hequr pengesat për adhurimet e muslimanëve dhe të krishterëve.

Palestina ka kërkuar që ndaj Tel Avivit të ushtrohet presion për tërheqjen e forcave izraelite nga Xhamia Al-Aksa dhe për të hequr pengesat për adhurimet e muslimanëve dhe të krishterëve.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, përfaqësuesi i përhershëm i Palestinës në OKB, Riyad Mansour ka zhvilluar një sërë bisedash me zyrtarët e OKB-së dhe ata ndërkombëtarë pas zhvillimeve në Kuds.

Në bisedime, Mansour ka nënvizuar se duhet të lirohen menjëherë gazetarët, fëmijët, të moshuarit dhe gratë palestineze që Izraeli ka arrestuar. Ai ka kërkuar që të ushtrohet presion mbi Tel Avivin për tërheqjen e forcave izraelite që ndodhen në Xhaminë Al-Aksa dhe për heqjen e pengesave ndaj adhurimeve të muslimanëve dhe të krishterëve.

Duke kërkuar që të ndalen sulmet izraelite ndaj civilëve palestinezë dhe hapave që rrisin tensionet në çdo zonë të territoreve të Palestinës, Mansour tha se “Dënimi i sulmeve që shteti izraelit dhe kolonët hebrenj kryejnë ndaj palestinezëve, krahas parandalimit të krimeve duhet të kalojë në nivelin e kërkimit të llogarisë dhe që të mbrojë popullin e Palestinës”.

Mansour i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kalojë sa më parë në veprim për të parandaluar rrezikun që sa vjen e përshkallëzohet dhe për të mbrojtur civilët palestinezë.

– Ngjarjet në Xhaminë Al-Aksa

Ngjarjet shpërthyen pasi të rinjtë e mbledhur pas namazit të sabahut (mëngjesit) në oborrin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor nën pushtim, hodhën gurë ndaj policisë izraelite.

Policia izraelite në mëngjes zhvilloi bastisje në oborrin e Xhamisë Al-Aksa, ndërhyri me plumba gome dhe bomba zëri ndaj të rinjve dhe duke përdorur forcën nxori jashtë të gjithë besimtarët që ndodheshin në Xhaminë Al-Aksa.

Më pas policia izraelite u tërhoq dhe lejoi hyrjen e besimtarëve ndërsa hynë sërish në këtë zonë pasi të rinjtë filluan të hedhin përsëri gurë.

Policia izraelite nxori jashtë besimtarët duke i goditur dhe u drejtua për në Xhaminë Kibles duke hyrë brenda saj dhe duke përdorur forcë.

Në median sociale janë ndarë pamje që tregojnë se policia izraelite hyri në Xhaminë e Kibles brenda në Aksa dhe arrestoi palestinezët duke i shtrirë përtokë.

Në ngjarjet e ndodhura në Harami-i Sharif, policia izraelite arrestoi 400 persona ndërsa të paktën 152 të tjerë u plagosën.

Kategoritë
BotaLajme