Pamje si helikopteri ndihmon në shuarjen e zjarrit që kaploi malet në Rugovë

Një helikopter po ndihmon për shuarjen e zjarrit që kaploi malet në Rugovë.

Lexues të gazetës kanë dërguar video nga momenti kur helikopteri lëshon uj për shuarjen e flakëve të zjarrit.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar inspektori i parandalimit Nijazi Gashi, i cili ka thënë se zjarri ka qenë i përhapur në shtatë vatra, por se tashmë thuajse është lokalizuar dhe s’ka rrezik.

“Po, zjarri ka përfshi një pjesë të Malit të Rugovës, saktësisht te fshati Shtupeq i Madh. Zjarri ka qenë i përhapur në shtatë vatra, por thuajse është lokalizuar tashmë. Zjarri ka filluar para dy ditësh, por falë intervenimit tashmë është larguar rreziku”, ka thënë Gashi.

Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi i ka thënë Gazetës Express se në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia, FSK’ja, zjarrfikësit, si dhe KFOR-i.

“Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR’i ka ardhur në ndihmë me helikopterë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin. Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka thënë Gashi.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.

Kategoritë
LajmeVendi