Pandemia dëmtoi bizneset në Malishevë, Komuna me pako të sajën të rimëkëmbjes

Komuna e Malishevës është ndër komunat që shënuan raste e para me COVID-19 në Kosovë. E përkundër kësaj në këtë komunë, thonë se kanë arritur ta menaxhojnë shumë mirë situatën pandemike.

Nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha për KosovaPress, ka thënë se më 14 mars ky qytet regjistroi rastin e parë me koronavirus, dhe si pasojë e kësaj, kjo komunë u karantinua për 51 ditë.

Po ashtu, si pasojë e kësaj dhe shumë masave të tjera që mori qeveria për të parandaluar përhapjen e pandemisë, Berisha thotë se janë shkaktuar dëme të mëdha tek bizneset.

Për t’u dalë në ndihmë bizneseve që pësuan humbje për shkak të masave të marra me qëllim të parandalimit më COVID-19, Malisheva është duke përgatitur një pako që përfshinë lehtësira.

Berisha: Bizneset janë dëmtuar shumë, po krijojmë pakon për t’i ndihmuar

“Dëmet janë të mëdha, komuna me kapacitetet e veta i ka ndërmarrë të gjitha masat për t’u dal në ndihmë bizneseve dhe do shohim në vazhdim në kontinuitet sepse pandemia nuk ka përfunduar dhe pothuajse nuk po shihet fundi i saj dhe ne do jemi si qeveri lokale për t’i përkrahur bizneset, meqenëse dëmet kanë qenë të jashtëzakonshme. Mirëfilli nuk kanë humbur vetëm bizneset por kemi humbur në të gjitha poret e jetës me vonesa në mësim dhe gjithçka tjetër. […] Është duke u përgatitur një pako e tërësishme se cila do t’iu ndihmoj bizneseve dhe do t’i dalim në ndihmë duke përfshirë lirim nga taksat dhe eventualisht do shohim mundësitë tjera materiale të cilat i ka komuna nga buxheti i saj”, tha ai.

Nënkryetari i qytetit të Malishevës për KosovaPress, ka thënë se nga marsi deri në fund të vitit, kjo komunë ka regjistruar rreth 550 persona të infektuar me koronavirus, prej tyre mbi 30 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-it.

Por Berisha deklaron se fal menaxhimit të suksesshëm arritën të jenë në zonën e gjelbër që paraqet rrezikshmërinë më të ulët për infektim.

Nga muaji nëntor kjo komunë mbeti edhe pa zot shtëpie, pasi kryetari i Malishevës, Ragip Begaj u infektua me COVID-19, dhe gjendja e tij shëndetësore ishte e vështirë.

Nënkryetari Hajdin Berisha thotë se mungesa e Begajt ka qenë sfidë e dyfishtë për Malishevën, krahas sfidës për menaxhimin e pandemisë.

Berisha: Mungesa e kryetarit sfidë e dyfishtë për Malishevën

“Ka qenë e vështirë mungesa e tij megjithatë të gjitha vijat të cilat i kemi vendosur nga fillimi i pandemisë i kemi vazhduar ndoshta me elan të shtuar dhe në mungesë të kryetarit kemi vazhduar të punojmë me elan të shtuar duke marrë parasysh se jemi kujdesur dhe jemi brengosur edhe për shëndetin e tij dhe çdo qytetari tjetër të komunës së Malishevës. Është fat i mirë që tani kryetari e ka kaluar dhe COVID-in por që janë disa pasoja dhe ende është duke vazhduar shërimi dhe rekuperimi i tij. Unë po besoj që shumë shpejt kryetari do kthehet në vendin e tij të punës t’i marrë obligimet dhe detyrat që i ka karshi qytetarit të Malishevës. Por dua të them se ka qenë sfidë ndoshta e dyfishtë mungesa e kryetarit prej që ka rezultuar pozitiv me COVID-19”, deklaroi nënkryetari Berisha.

Komuna e Malishevës më 14 mars identifikoi qytetarin e parë të prekur me koronavirus, ishte 37 vjeçarja me vend qëndrim në Itali.

Kategoritë
LajmeVendi