“Pandemia vazhdon të jetë sfida kryesore e menaxhimit të arsimit në Kosovë”

Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se është “vërshuar” me ankesa dhe adresime në të gjitha nivelet arsimore me problemet e arsimit, qoftë nga nxënësit e studentët, por edhe brenga të mësimdhënësve e menaxhmentit të shkollave

Pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore për mbarëvajtjen e procesit nëpër institucionet e arsimit në Kosovë, duke paraqitur shqetësime për të ardhmen, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu ka thënë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, në një tryezë të organizuar nga organizata joqeveritare “Lëvizja FOL” në Prishtinë.

Nagavci tha se përpos pandemisë, sistemi i arsimit ka arritur të evitojë edhe një problem të ri, atë të përjashtimit të një numri të lartë të mësimdhënësve që erdhi ndër të tjera edhe si shkak i uljes së natalitetit në Kosovë.

“Aktualisht sfidat janë të shumta, pandemia është një nga sfidat kryesore. Janë çështjet me të cilat përballen institucionet e arsimit në të gjitha nivelet duke filluar prej formulës për financimin e arsimit, sipas së cilës aktualisht mbi 1.280 mësimdhënës rrezikonin të mbeteshin të papunë. Kjo ndodh për dy arsye, e para për shkak të zvogëlimit të nxënësve, për shkak të rënies së natalitetit apo për shkak të migrimit, por edhe për shkak të formulës financiare e cila është e ngurtë”, theksoi Nagavci.

Ministrja theksoi se në këtë drejtim janë siguruar që të ruhen të gjitha vendet e punës dhe në të njëjtën kohë të punohet në përmirësimin e formulës së financimit.

Ndër sfidat tjera të kësaj ministrie, Nagavci përmendi edhe mundësinë që të gjithë mësimdhënësit të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre, qoftë për shkak të infrastrukturës apo përgjegjësive që kanë pasur me plotë çështje, përfshirë tekstet e reja shkollore.

Nagavci tha se gjendja në arsim aktualisht është për t’u dëshiruar me mësimdhënës që e kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi të lartë, por ajo theksoi se ka raste kur edhe ka mësimdhënës të cilëve u mungon llogaridhënia.

Duke folur për qëllimet strategjike të ministrisë që ajo udhëheq, Nagavci tha se kanë përcaktuar pesë qëllime, përfshirë “harmonizimin e shkollave profesionale me tregun e punës”.

“Duke filluar prej arsimit gjithëpërfshirës dhe të digjitalizuar, pastaj në harmonizimin e shkollave profesionale me tregun e punës, menaxhimi efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet e tij, menaxhimi i cilësisë në arsimin e lartë dhe qëllimi i pestë ka të bëjë me përmirësimin e mjedisit për hulumtim dhe inovacion”, theksoi Nagavci.

Ministrja Nagavci theksoi se me të marrë detyrën e ministres, është “vërshuar” me ankesa dhe adresime në të gjitha nivelet arsimore me problemet e arsimit, qoftë nga nxënësit e studentët, por edhe brenga të mësimdhënësve e menaxhmentit të shkollave.

Në Kosovë, sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha në nivele të ndryshme.

Sipas një raporti ndërkombëtar të publikuar në vitin 2020, nxënësit në Kosovë kanë ngecje të theksuar në mësimnxënie. Konkretisht, raporti vinte në pah se një fëmijë që ka shkuar në shkollë plot 13 vjet, deri kur i ka mbushur 18 vjet, në realitet ka bërë vetëm 7,5 vjet mësim. Pra, sipas raportit, ka një hendek të mësimnxënies prej 5,3 vjetësh.

Kategoritë
LajmeVendi