Papa u takua me Al-Sistanin në shtëpinë e tij në Al Najaf

Papa Françesku në takimin me autoritetin më të lartë fetar të shiitëve në Irak, Ayatollah al-Sistani, bisedoi për vështirësitë e mëdha me të cilat përballet sot njerëzimi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Papa i cili vazhdon vizitën e tij në Irak, në mëngjes u takua me Al-Sistanin në shtëpinë e tij në Al Najaf.

Në një deklarate me shkrim nga Zyra e Al-Sistanit thuhet se është biseduar për vështirësitë e mëdha me të cilat përballen njerëzimi, vendet e adhurimit në epokën tonë si dhe rolin që ka besimi ndaj Allahut dhe vlerat e larta morale për të kapërcyer këto vështirësi.

Gjatë bisedës Al-Sistani ka thënë se shumë njerëz në vende të ndryshme, kryesisht populli i Palestinës nën okupim përjetojnë probleme për shkak kryesisht të luftës, akteve të dhunës, bllokadës ekonomike, dëbimeve, presionit, varfërisë, persekutimit fetar dhe intelektual, shtypjes së lirive themelore dhe mungesës së drejtësisë sociale.

“Liderët e mëdhenj shpirtërorë dhe fetarë luajnë një rol të rëndësishëm në ndalimin e këtyre problemeve”, tha Al-Sistani i cili shtoi se palët në fjalë është e nevojshme të jenë me mendje të shëndoshë, të refuzojnë gjuhën e luftës dhe të mos zgjerojnë interesat e tyre të kurriz të popujve.

Al-Sistani falënderoi Papën për vizitën e tij në Irak duke theksuar se ai kujdeset që të krishterët në vend të kenë të drejtat e tyre dhe të jetojnë në siguri ashtu si irakianët e tjerë.

Papa Françesku dje në Bagdad u takua me kryeministrin irakian, Mustafa Al-Kadhimi dhe presidentin Barham Salih. Po ashtu Papa vizitoi edhe kishën Sayidat al-Nejat në kryeqytetin Bagdad.

Pas vizitës në Al-Najaf, Papa u nis për të vizituar qytetin antik Ur në Nasiriyah.

Kategoritë
BotaLajme