Paralajmërohet kontroll rigoroz i tregut të naftës në Kosovë

Kontroll më rigoroz të tregut të naftës në Kosovë, ka paralajmëruar ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.

Hajdari në një konferencë për media ka komentuar ngritjen e madhe të çmimit të naftës në Kosovë dhe ankesat e Shoqatës së Naftëtarëve kundër një vendimi të Qeverisë që përcakton marzhë fitimi deri në 6 për qind për naftëtarët.

Në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, Hajdari ka thënë se ankesat e naftëtarëve kanë qenë se “s’ka naftë në stoqe”, por sipas saj kjo “s’qëndron”.

Ajo ka thënë se s’ka bllokadë për furnizim me naftë në vend dhe se s’e konsideron fer shitjen me çmim të ri të naftës që është importuar me çmim shumë më lirë kohë më parë.

“Ne jemi shtet që importojmë 90 për qind. Pra siç e tha edhe kryeministri ne s’mund t’i kontrollojmë por mund të marrim masa dhe kemi nisur, duke nisur nga nafta. Duke ditur se mund të ketë devijime të çmimeve në treg, përmes bashkëpunimit të Autoritetit të Konkurrencës tash do të identifikojmë marrëveshjet e përbashkëta të tregtarëve e produkteve në treg sepse nganjëherë thonë se s’kemi stoqe, por jam në vëmendje të afërt të shteteve të rajonit për të parë a kemi mundësi apo bllokadë për furnizim me naftë”, ka thënë ajo duke shtuar se në situatën aktuale s’mund të dëgjohen të gjitha kërkesat e naftëtarëve, por në qendër duhet të jetë qytetari.

Kategoritë
BotaLajme