Parlamenti Evropian adopton Certifikatën Digjitale të COVID-it

Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan të martën Certifikatën Digjitale të COVID-it, e cila do të përdoret në udhëtimet brenda kufijve të Unionit.

Organi ligjvënës i Bashkimit Evropian njoftoi se rezoluta për Certifikatën Digjitale të COVID-it u adoptua me 690 vota në favor.

Vendimi do të hyjë në fuqi pasi të miratohet në Këshillin e BE-së dhe të botohet në Fletoren Zyrtare më 1 korrik.

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, njoftoi më 20 maj se negociatat midis Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian mbi certifikatën e vaksinimit kishin prodhuar një konsensus.

Sipas marrëveshjes, shtetet anëtare të BE-së do të shmangin kufizimet e udhëtimit si testimi shtesë ose karantina që nga 1 korriku, datë në të cilën certifikata do të hyjë në fuqi.

Në raste të nevojshme, siç është mbrojtja e shëndetit publik, vendet mund të marrin masa shtesë.

Dokumenti do të lëshohet falas, në formë të shtypur ose digjitale.

Certifikata e vaksinimit përmban informacione që tregojnë nëse personi bartës është vaksinuar kundër COVID-19, nëse ka një test negativ ose që është imun pas një infeksioni.

Ajo heq kufizimet e udhëtimit për njerëzit që kanë marrë një prej vaksinave antiCOVID të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

BE-ja ka miratuar aktualisht vaksinat e prodhuara nga kompanitë “BioNTech-Pfizer”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson&Johnson”.

Ndërkaq, gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian përpara votimit, eurokomisioneri për Drejtësinë, Didier Reynders, bëri me dije se mbi 1 milion persona e kanë marrë Certifikatën Digjitale të COVID-it, e cila duhet të lehtësojë udhëtimet këtë verë brenda BE-së.

“Më shumë se një milion qytetarë i kanë marrë tashmë këto certifikata dhe shumë të tjerë do t’i ndjekin ata në javët dhe muajt në vijim”, tha politikani belg.

Reynders tha gjithashtu se këto certifikata kanë filluar të lëshohen në 9 shtete anëtare: Bullgari, Kroaci, Çeki, Danimarkë, Gjermani, Greqi, Poloni, Lituani dhe Spanjë.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme