Parlamenti i BE-së bën thirrje për sanksione më të ashpra kundër Rusisë dhe Bjellorusisë

Ligjvënësit u bënë thirrje institucioneve të BE-së që t’i japin statusin e kandidatit Ukrainës dhe kërkuan nga blloku që të përshpejtojë integrimin e Kievit në tregun e vetëm

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që kërkon kandidaturën e Bashkimit Evropian (BE) për Ukrainën dhe bën thirrje për sanksione më të ashpra në përgjigje të luftës ruso-ukrainase, transmeton Anadolu Agency (AA).

Parlamenti Evropian njoftoi se me 637 vota pro, 13 kundër dhe 26 abstenime, ligjvënësit e BE-së dënuan “në termat më të fortë të mundshëm pushtimin e paligjshëm të Rusisë në Ukrainë” dhe i bënë thirrje Moskës që menjëherë të ndalojë të gjitha aktivitetet ushtarake.

Ligjvënësit u bënë thirrje institucioneve të BE-së që t’i japin statusin e kandidatit Ukrainës dhe kërkuan nga blloku që të përshpejtojë integrimin e Kievit në tregun e vetëm.

Dokumenti po ashtu kërkoi sanskione më të ashpra kundër Moskës, përfshirë ndalimin e importeve të naftës dhe gazit rus në bllokun evropian, si dhe një ndalim të dyanshëm të investimeve.

Ligjvënësit e BE-së po ashtu kërkuan më shumë sanksione që synojnë “korrupsionin e nivelit të lartë në Rusi dhe Bjellorusi, si dhe të oligarkëve dhe zyrtarëve pranë lidershipit të vendeve”.

Rezoluta kërkon që Bjellorusia të ndalohet nga sistemi bankar ndërkombëtar SËIFT.

Sot më herët, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, përshëndeti kandidaturën e Ukrainës në BE dhe premtoi mbështetje për pranimin e vendit në BE.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës të enjten e kaluar, Moska është përballur me dënime nga komunitete ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në që po zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

BE javën e kaluar miratoi tre paketa sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar, ndër të tjera, presidentin Vladimir Putin, kryediplomatin Sergey Lavrov, sektorin bankar rus dhe kompanitë kryesore shtetërore.

Të dielën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zyrtarisht nënshkroi kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE.

Në një letër të hapur, Lituania, Letonia, Estonia, Republika Çeke, Bullgaria, Sllovakia, Sllovenia dhe Rumania shprehën mbështetje për kandidaturën e shpejtë të Ukrainës.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), deri më tani në Ukrainë të paktën 136 civilë, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë dhe afër 400 të tjerë, përfshirë 26 fëmijë, janë plagosur.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njoftoi se 660 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme