Parlamenti rus autorizon presidentin Putin të përdorë forcat e armatosura jashtë vendit

Këshilli e mori vendimin pasi presidenti Putin kërkoi lejen e organit për të përdorur ushtrinë jashtë vendit, veçanërisht në rajonet separatiste në Donbas të Ukrainës që Rusia dje e njohu si “të pavarur”

Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë, respektivisht Këshilli i Federatës Ruse, njëzëri ka autorizuar përdorimin e forcave të armatosura ruse në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli e mori vendimin pasi presidenti Putin kërkoi lejen e organit për të përdorur ushtrinë jashtë vendit, veçanërisht në rajonet separatiste në Donbas të Ukrainës që Rusia dje e njohu si “të pavarur”.

Duke folur në Këshillin e Federatës, zv/ministri i Mbrojtjes, Nikolay Pavlov, e bëri të qartë se autorizimi është i nevojshëm për të organizuar ato që Rusia i quaj “misione paqeruajtëse” në rajonet Donetsk dhe Luhansk të kontrolluara nga separatistët.

Këshilli votoi njëzëri pro autorizimit.

Pas një fjalimi mbrëmë vonë ku Rusia njohu si të pavarura rajonet e shkëputura në Ukrainën lindore, Putin njoftoi se Rusia do të dërgojë trupa në ato zona të “ruajtur paqen”.

Njoftimet tërhoqën një kritikë të gjerë globale, duke theksuar se kjo masë shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ligjin ndërkombëtar, me vendet perëndimore që u zotuan se do të vendosin sanksione të reja.

Në vitin 2014, pasi pushtoi Gadishullin e Krimesë së Ukrainës, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar gjatë shtatë viteve të fundit. Konflikti, sipas vlerësimeve të OKB-së, ka marrë jetën e më shumë se 13 mijë personave.

Lëvizjet e fundit të presidentit Putin pasojnë pasi Rusia grumbulloi mbi 100 mijë trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth Ukrainës, me SHBA-në dhe vendet perëndimore që e akuzojnë se ka krijuar terren për një pushtim.

Rusia ka mohuar se po përgatit një pushtim dhe pretendon se vendet perëndimore minuan sigurinë e saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Kategoritë
BotaLajme