Partitë gjermane arrijnë marrëveshje për qeverinë e koalicionit

Liderët e tre partive janë pajtuar përfundimisht edhe për portofolet e kabinetit, por emrat e ministrave do të përcaktohen pas konsultimeve të mëtejshme.

Partitë e qendrës së majtë, liberale dhe ambientaliste të Gjermanisë kanë arritur marrëveshje për të formuar qeveri koalicioni trepalësh.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA raportoi se liderët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Demokratët e Lirë (FDP) dhe të Gjelbrit planifikojnë më vonë të mbajnë konferencë për media për të prezantuar marrëveshjen e tyre të koalicionit.

Social-demokratët fituan ngushtë zgjedhjet e 26 shtatorit kundër kristian-demokratëve (CDU/CSU) të kancelares Angela Merkel dhe që nga muaji tetor kanë negociuar me të Gjelbrit dhe FDP-në për të formuar qeverinë e ardhshme të koalicionit. ​​​​​​

Medial lokale raportojnë liderët e tre partive janë pajtuar përfundimisht edhe për portofolet e kabinetit, por emrat e ministrave do të përcaktohen pas konsultimeve të mëtejshme.

Olaf Scholz do të jetë kancelari i ardhshëm i vendit dhe partia e tij SPD do të udhëheq gjashtë ministri, përfshirë atë të mbrojtjes, të brendshme, të punës dhe të shëndetësisë.

Të Gjelbrit do të udhëheqin pesë ministri, përfshirë atë të jashtme, një ministri të sapo zgjeruar të ekonomisë dhe të mbrojtjes së klimës, si dhe ministritë e mjedisit dhe të familjes.

Sipas raporteve, partia pro-biznesit FDP do të udhëheq financat, drejtësinë, arsimin dhe transportin.

Marrëveshja akoma është temë për t’u miratuar nga organet përkatëse partiake të partnerëve të mundshëm të koalicionit.

SPD-ja ka planifikuar më 4 dhjetor të mbajë kongres special të partisë për të miratuar traktatin e koalicionit, ndërsa FDP-ja do të mbajë kongresin e saj më 5 dhjetor.

Sekretari i përgjithshëm i të Gjelbërve, Michael Kellner,u tha mediave se ata do të ftojnë afër 125 mijë anëtarët e partisë për të votuar mbi traktatin e koalicionit.

Kategoritë
BotaLajme