Partitë politike të Turqisë dënojnë dhunën në Kazakistan

Turqia do të vazhdojë të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin në Kazakistan, që është me rëndësi jetike për rajonin, thuhet në deklaratën e përbashkët

Partitë politike të Turqisë dënuan ngjarjet e dhunshme në Kazakistan, duke garantuar mbështetje për paqen dhe stabilitetin në vendin e Azisë Qendrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne dënojmë aktet e dhunës që rrezikojnë jetën e njerëzve, prishin rendin publik dhe dëmtojnë pronën”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga të gjitha partitë në parlamentin turk, me përjashtim të Partisë Demokratike të Popujve (HDP).

Deklarata kujton se Turqia ka qëndruar pranë Kazakistanit që nga pavarësia e tij në vitin 1991.

Turqia do të vazhdojë të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin në Kazakistan, që është me rëndësi jetike për rajonin, thuhet më tej në deklaratë.

“Ne jemi të kënaqur që incidentet kanë filluar të qetësohen dhe situata në vend ka filluar të kthehet në normalitet për shkak të sensit të përbashkët të popullit të Kazakistanit dhe qëndrimit të kujdesshëm të administratës”, theksohet në deklaratë.

Më 2 janar, në Kazakistan shpërthyen protesta për rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm (LPG) në qytetin Zhanaozen në Mangystau, të cilat më pas u shndërruan në përleshje me policinë, kurse zhvillimet më të dhunshme ndodhën në ish-kryeqytetin e Kazakistanit, Almaty.

Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev kërkoi ndihmë nga aleatët e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) dhe në një periudhë të shkurtër, paqeruajtësit nga Rusia, Bjellorusia, Armenia dhe Taxhikistani mbërritën në vend dhe mbështetën zbatimin e ligjit në rivendosjen e rendit.

Kategoritë
BotaLajme