Pas Biden, edhe sekretari Blinken i kërkon Serbisë të njoh shtetin e Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë të lëshuar lidhur me rastin e ditës nacionale të Serbisë, ka kërkuar që ky shtet ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Në deklaratën e Blinken mes tjerash thuhet se inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen reciproke.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohje reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, ka thënë Blinken.

Blinken më tej ka shtuar se SHBA-të presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale.

Ndryshe ditë më parë edhe presidenti amerikan Joe Biden përmes një letre dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i kishte kërkuar këtij të fundit normalizim të marrëdhënieve ndërmjet
Kosovës dhe Serbisë, e cila do të bazohej edhe në njohjen reciproke.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim”, kishte shkruar Biden në letrën e tij./Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi