Pas deklaratave se nuk janë 60 mijë, Kurti pret veteranët: Folëm për pastrimin e listave

Kryeministri Albin Kurti i ka pritur sot në takim disa nga përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Kurti në këtë takim u shpreh i interesuar që të bashkëpunojnë ngushtë me këtë organizatë, teksa me ushtruesin e detyrës së kryetarit, Faton Klinaku dhe me disa kryetarë të degëve të OVL-UÇK-së, diskutoi edhe për pastrimin e listave të veteranëve.

Kjo erdhi pasi kryeministri Kurti deklaroi se nuk janë 60 mijë veteranë, por rreth 20 mijë.

“Përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre. U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z.Faton Klinakun, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës

Në këtë takim, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. Ai shprehu gatishmërinë për takime të radhës që do t’i kontribuonin këtij qëllimi.

Përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.

U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe z.Aziz Bici, këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bisedua edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi