Pas embargos së SHBA-së, Kamboxhia urdhëron forcat të shkatërrojnë armët amerikane

Kryeministri kamboxhian vazhdoi të tallet me Washington-in duke thënë se ata që përdorin armë amerikane janë të prirë të humbasin luftërat

Në përgjigje të embargos së armëve të SHBA-së, Kamboxhia urdhëroi forcat e saj të armatosura të shkatërrojnë çdo armë dhe pajisje ushtarake të furnizuar nga Washington-i, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një postim në Facebook, kryeministri Hun Sen tha se ka urdhëruar të gjitha “njësitë e forcave të armatosura që të rishikojnë menjëherë armët dhe pajisjet ushtarake që Kamboxhia aktualisht ka, dhe të marrin të gjithë pajisjet e prodhuara nga SHBA, nëse ka, në depo ose thjesht t’i shkatërrojnë”.

Deklaratat e tij erdhën vetëm disa ditë pasi Washington-i vendosi embargo armësh ndaj kombit të Azisë Juglindore për gjoja “lejimin e Kinës për të zgjeruar praninë e saj ushtarake dhe për të ndërtuar objekte me përdorim ekskluziv në Gjirin e Tajlandës”.

“Shfrytëzoj rastin të falënderoj SHBA-në për vendimin e saj për të ndaluar shitjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Kamboxhia. Kjo tregon legjitimitetin e vendimit që mora në vitin 1994 kur zgjodha të mos e ndryshoja sistemin tonë të armëve në një model amerikan”, tha Hun Sen.

Kryeministri kamboxhian vazhdoi të tallet me Washington-in duke thënë se ata që përdorin armë amerikane janë të prirë të humbasin luftërat.

“Kohët e fundit, humbësit e luftës në Afganistan përdorën armë amerikane. Kam besim në guximin e trupave tona, shpirtin dhe vullnetin e tyre për të luftuar në frontin e betejës për të mbrojtur sovranitetin territorial dhe jo vetëm armët”, pohoi ai.

Megjithatë, ndikimi i embargos së Washington-it dhe kërcënimi i Hun Sen mbetet i pasigurt, pasi SHBA nuk është ndër vendet që furnizojnë me armë Kamboxhian.

Sipas një raporti të dhjetorit të vitit 2019 nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Paqes në Stokholm, Kamboxhia merr pak pothuajse gjysmën e të gjitha armëve të saj nga Kina, me furnizues të tjerë kryesorë që janë Ukraina, Serbia dhe Republika Çeke.

Kategoritë
BotaLajme