Pas kaosit të djeshëm SHBA-të rivendosin kontrollin në aeroportin e Kabulit

Zyrtarët amerikanë pezulluan përkohësisht operacionet ajrore pas kaosit të djeshëm në Aeroportin e Kabulit në Afganistan dhe i rifilluan ato pasi morën kontrollin.

Një zyrtar i paidentifikuar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) tha për televisionin amerikan “CNN” se operacionet ajrore kanë rinisur në Aeroportin “Hamid Karzai” të Kabulit.

Zyrtarët amerikanë pezulluan përkohësisht të gjitha operacionet ajrore pasi trupat amerikane vranë dy afganë, të cilët thuhet se ishin të armatosur dhe u krijua kaos në aeroport, tha zyrtari, duke shtuar se situata është marrë ndjeshëm nën kontroll dhe operacionet ajrore kanë rifilluar.

John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, nuk mori asnjë përgjegjësi për imazhet kaotike të djeshme në Aeroportin e Kabulit, duke argumentuar se ata kishin marrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me planin e evakuimit.

Kirby tha se me rreth 6.000 trupa në terren, ata do të realizojnë në mënyrë më të mirë planet e tyre, duke shtuar se nuk ishin përgjegjës për imazhet që u shfaqën në Aeroportin e Kabulit dhe se ata nuk mund të parashikojnë të gjitha mundësitë.

Gjeneralmajori amerikan Hank Taylor njoftoi gjithashtu se masat e nevojshme të sigurisë janë marrë në aeroportin e Kabulit dhe se aeroporti është rihapur për operacionet ajrore.

Një ditë më parë, talibanët kishin hyrë në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit, ku kishin pushtuar disa provinca për muaj të tërë. Qindra afganë u dyndën në Aeroportin e Kabulit ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga vendi.

Kategoritë
BotaLajme