Patriarkana Ekumenike njeh Kryepeshkopatën e Ohrit si kanonike

Ky vendim nuk nënkupton tomos për autoqefalinë që zyrtarisht rregullon emrin dhe statusin ndërkombëtar të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM), por është një njoftim se kisha më nuk është e ndarë me botën ortodokse

Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike në një seancë të kryesuar nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu ka marrë vendim për njohjen e Kryepeshkopatës së Ohrit si kanonike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajmi u bë i ditur në një njoftim zyrtar nga Zyra e Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike.

“Sinodi i Shenjtë, nën kryesinë e Shenjtërisë së Tij Hyjnore, Patriarkut Ekumenik z. Bartolomeu, diskutoi për problemin e kishës në Shkup dhe duke vlerësuar në fazën përfundimtare apelin e kishës atje dhe thirrjeve të përsëritura nga shteti i Maqedonisë së Veriut, vendosi si në vazhdim: Pranon në kungimin eukaristik hierarkinë, klerin dhe popullin e kësaj Kishë nën Kryepeshkopin z. Stefan”, thuhet në njoftim.

Si emër të kishës ajo pranon “të Ohrit”, duke e mbajtur parasysh “si zonë të juridiksionit të saj në zotërimin brenda kufijve të shtetit të Maqedonisë së Veriut”.

Ky vendim nuk nënkupton tomos për autoqefalinë që zyrtarisht rregullon emrin dhe statusin ndërkombëtar të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM), por është një njoftim se kisha më nuk është e ndarë me botën ortodokse.

Tomos për autoqefalinë, sipas procedurave, mund të sjellë vetëm Patriarkana Ekumenike.

Në njoftim po ashtu thuhet se i është lënë Kishës së Serbisë të zgjidhë çështjet administrative ndërmjet saj dhe Kishës në Maqedoninë e Veriut, në kontekstin e “rendit të shenjtë kanonik dhe traditës kishtare”.

Mesazhe urimi nga presidenti Pendarovski dhe kryeministri Kovaçevski

Me rastin e njohjes së Kryepeshkopatës së Ohrit nga Patriarkana Ekumenike, urime për kreun e KOM-it, z. Stefan, dërguan presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryeministri Kovaçevski.

“Ky vendim i rëndësishëm korrigjon padrejtësinë e gjatë historike të shkaktuar ndaj Kishës sonë dhe besimtarëve të saj, si dhe shëron plagët e thella për shkak të izolimit me dekada me të cilat u përball Kryepeshkopata e Ohrit. Duke pranuar Kishën tonë në kungimin eukaristik, Patriarkana Ekumenike fshiu ndarjet e krijuara artificialisht dhe hapi hapësirën për ndërtimin e unitetit shpirtëror të besimtarëve ortodoksë”, thuhet në urimin e presidentit Pendarovski.

Kryeministri Kovaçevski lëshoi një mesazh urimi përmes rrjeteve sociale.

“Edhe pse me këtë akt ende nuk është zgjidhur statusi dhe emri përfundimtar, hapi më i rëndësishëm dhe më i madh është përfunduar. Tani kisha jonë ortodokse është në bashkësi me të gjitha kishat ortodokse dhe kjo ditë është një ditë historike pas 7 dekadash izolimi total. Sot me vendim të Patriarkanës Ekumenike hyjmë në familjen ortodokse të të gjitha kishave lokale. Ky vendim i Patriarkanës Ekumenike, e cila na njeh si Kryepeshkopatë e Ohrit, nënkupton njohjen e kontinuitetit që kisha jonë historike ka me Kryepeshkopatën e lashtë të Ohrit”, shkroi Kovaçevski.

Kategoritë
BotaLajme