PDK-ja kërkon nga Kadri Rahimaj anulimin e vendimit për emërimin e nënkryetarit Dalibor Filipoviq

PDK-ja ka kërkuar nga kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj ta anulojë vendimin për emërimin e Dalibor Filipoviq si nënkryetar i komunës.

PDK-ja përmes një komunikatë për media ka thënë se pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Kamenicës dhe kryetari Kadri Rahimaj, po shkojnë hapave të njëjtë me të liderit të tyre Albin Kurti sa i përket bashkëpunimit të ngushtë me serbët që kundërshtojnë dhe e luftojnë shtetësinë e Kosovës.

“Pa asnjë detyrim ligjor, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përmes delegatëve të pushtetit e kanë votuar për nënkryetar të Komunës, Dalibor Filipoviqin, i cili deri tani ka punuar si mirëmbajtës teknik në një shkollë fillore. Filipoviq njihet në Komunën e Kamenicës si mbështetës i Vetëvendosjes në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Filipoviq po ashtu ka mbështetur në vazhdimësi në rrjete sociale zyrtarët e Listës Serbe që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas tyre,  Dalibor Filipoviq në disa postime në Facebook e kishte mbështetur ish-ministrin Aleksander Jabllanoviq për fyerjet që i kishte bërë ndaj nënave gjakovare duke thënë se nuk ka qenë gabim nëse i ka quajtur “egërsira”.

Dega e PDK-së në Kamenicë i bënë thirrje kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, që mos të vazhdoj tutje me procedurat e emërimit të Dalibor Filipoviqit në postin e nënkryetarit.

“Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj duhet të kërkoj falje publike para qytetarëve të Kamenicës për këtë veprim. Në të kundërtën, mos kërkimi i faljes nga ana e tij, dëshmon se ky emërim ka ardhur si rezultat i pazareve politike të Vetëvendosjes me grupet politike serbe në Kamenicë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Kategoritë
LajmeVendi