PDK punët “llugë” në komuna, paralajmërohet ndarje dhe krijim i iniciativave!

Partia Demokratike e Kosovës është futur në telashe, pak muaj para zgjedhjeve lokale.

Në disa prej Degëve të kësaj partie janë duke u shfaqur pakënaqësi rreth emrit të kandidatit për kryetar.

Madje, si pasojë e fraksioneve, nga kjo partie pritet që disa individë të krijojnë edhe iniciativa, për zgjedhjet e nëntorit të këtij viti, shkruan Indeksonline

Ferizaj, Drenasi, Prizreni, Istogu, Podujeva … janë disa prej komunave në të cilat është futur sherr i madh.

Kryetari aktual i Ferizajt, Agim Aliu edhe zyrtarisht ka marrë “aminin” e Qendrës së PDK-së për të rikandiduar.

Mirëpo, një pjesë e kësaj dege, e kryesuar nga Nehat Mustafa, ka paralajmëruar se do të shkëputet nga partia.

Ish-ministri i PDK-së, sipas disa informacioneve, ka lënë të hapur garimin në zgjedhje me anë të një Iniciative.

Aspak mirë nuk qëndron edhe në Drenas. Kryetari aktual, Ramiz Lladrovci, përkundër se ka marrë çmime për performancën e lartë të komunës së tij, nuk është duke u përkrahur nga një pjesë e Degës.

Është “krahu i Sami Lushtakut”, konkretisht njerëzve të Azem Sylës, të cilët nuk po e duan Lladrovcin për rikandimim. Ky i fundit, përkrahet fuqishëm nga familja Jashari si dhe deputeti i fuqishëm i kësaj ane, Ferat Shala.

Te PDK-ja e Istogut situata është e brisht. Dy fraksione janë ndarë e përçarë dhe zor që shihet ndonjë marrëveshje mes tyre. PDK në Istog ka dy kryetarë të konfirmuar nga dy grupe të ndryshme. Lulëzim Shoshi dhe Ali Nimanaj përfaqësojnë dy grupe të ndara. Rehati nuk ka PDK-ja as në Prizren. Pavarësisht se Shaqir Totaj është nominuar për kryetarë, Indeksonline mëson se ai nuk e ka përkrahjen e plotë të disa të “fuqishmëve” të degës së kësaj partie në Prizren.

PDK në Podujevë nuk i ka hesapet mirë. Largimi i Naim Fetahut ka lënë boshllëk dhe paqartësi në degën e kësaj partie në Llap. Ka fraksione e mospajtime mes disa njerëzve me ndikim te PDK në këtë komunë.

Kategoritë
LajmeVendi