PDK: Tërheqja e ambasadorëve skandaloz dhe i dëmshëm

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) po e konsideron skandaloz dhe të dëmshëm vendimin e Qeverisë Kurti II dhe Presidentes Vjosa Osmani për tërheqjen e 13 ambasadorëve nga misionet diplomatike.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi në një konferencë për medie tha se ky veprim është i paprecedent që do të rrezikojë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Musliu-Shoshi: Ky veprim është skandaloz

 

“Tërheqja e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës në një kohë të pandemisë dhe në një formë të tillë grupore pa vlerësuar punën e secilit pre tyre paraqet një veprim skandaloz dhe vë në pikëpyetje raportet e shtetit tonë me vendet mike, ku diplomatët tanë janë të akredituar. Ky veprim është i paprecedentë në historinë e Kosovës dhe si të tillë Qeveria Kurti ka marrë veprime që e rrezikojnë funksionimin e shërbimit të jashtëm dhe largojnë Kosovën nga ushtrimi i politikës së jashtme duke lënë ambasadat pa shefa të misioneve”, tha ajo.

Ajo tha tërheqja e ambasadorëve pa propozuar të tjerë rrezikon vendin, derisa theksoi se Qeveria Kurti po tregon se nuk ka idenë se si pёrfaqёsojё Kosovën në politikën e jashtme.

Musliu-Shoshi: Kjo qeveri nuk e ka idenë se si tё pёrfaqёsojё Kosovën në politikën e jashtme

 

“Tërheqja e Ambasadorëve pa një plan, pa një vlerësim tё punës sё tyre, dhe mbi tё gjitha nё mënyrë tё padinjitetshme karshi punës dhe integritetit tё tyre, tregon qё kjo qeveri nuk e ka idenë se si tё pёrfaqёsojё Kosovën në politikën e jashtme, si ta përfaqësojë vendit dhe si tё sillet me shtetet me tё cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike.”, u shpreh ajo.

Deputetja opozitare tha se tërheqja, mes tjerash edhe e ambasadorit nga Haga që e njeh veprimtarinë e Gjykatës Speciale vështirëson mbrojtjen e ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen atje.

Musliu-Shoshi: Është skandaloze edhe tërheqja e ambasadorit nga Haga që njeh veprimtarinë e Gjykatës Speciale 

 

“Ёshtё skandaloze, por pjesë e veprimeve tё javëve tё fundit, qё Kosova tё tërheqë Ambasadorin nga Haga, i cili përveç që njeh veprimtarinë e Gjykatës Speciale dhe komunikimin me tё nё emër tё shtetit tё Kosovës, ka pasur marrëdhënie dhe kontakt personal me tё gjithë çlirimtarët qё po mbahen padrejtësisht nё Hagё, si ish-presidenti Thaçi, ish-kryetari Veseli dhe të tjerë.”, ka thënë ajo.

Kategoritë
LajmeVendi