Pele sërish shtrohet në spital për trajtim

Spitali nuk dha më shumë detaje mbi trajtimin, por tha se Pele duhet të lirohet “brenda ditëve të ardhshme”

Ish-futbollisti legjendar Pele është kthyer në spital në Brazil, ku do t’i nënshtrohet trajtimit të tumorit të zorrës së trashë, i nisur në shtator, kur fituesi i trefishtë i Kupës së Botës në futboll kaloi gati një muaj pas heqjes së tumorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një shënimi nga Spitali Izraelit i Sao Paulos Albert Einstein, ku Pele u trajtua dhe u pranua sërish sot, 81-vjeçari do të “vazhdojë” trajtimin e tij. Spitali nuk dha më shumë detaje mbi trajtimin, por tha se Pele duhet të lirohet “brenda ditëve të ardhshme”.

Spitali tha gjithashtu se ish-futbollisti i njohur ndërkombëtarisht është në gjendje të qëndrueshme.

Në kohën e shtrimit të tij në spital në shtator, mjekët thanë se Pele do t’i duhej t’i nënshtrohej kimioterapisë si pjesë e trajtimit të tij. Tumori u gjet gjatë ekzaminimeve rutinë në fund të gushtit.

Të martën e kaluar, zyra e shtypit e legjendës së futbollit tha se ai është ekzaminuar në spital.

Më 17 nëntor, Pele ndau një fotografi në rrjetet e tij sociale duke thënë se ishte “shumë mirë” dhe “ndihej më mirë çdo ditë”. Ai gjithashtu falënderoi simpatizantët për lutjet dhe mbështetjen.

Kategoritë
BotaLajme