Pendarovski: Dezinformatat mund ta destabilizojnë edhe vet shtetin

Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe Instituti Maqedonas për Media (MMI) në Muzeun e arteve bashkëkohore organizoi “Konferencë rajonale për shkrim-lexim mediatik BE-Ballkani Perëndimor: Ballafaqimi me dezinformatat”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se dezinformatat për shkak të potencialit të tij për të minuar vlerat demokratike mund ta destabilizojnë edhe vet shtetin, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoninë e Veriut dhe Instituti Maqedonas për Media (MMI) në Muzeun e arteve bashkëkohore organizoi “Konferencë rajonale për shkrim-lexim mediatik BE-Ballkani Perëndimor: Ballafaqimi me dezinformatat”.

Konferenca u përshëndet nga presidenti Pendarovski, ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, si dhe përmes video-konferencës nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë dhe zv/presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Në fjalimin e tij, Pendarovski theksoi se qëllimi i dezinformimit është të manipulojë në mënyrë sistematike publikun duke plasuar dezinformata dhe se qëllimi përfundimtar është t’u shërbejë interesave të qendrave të caktuara politike apo afariste të pushtetit.

“Fushatat e dezinformimit polarizojnë debatin publik, ndikojnë negativisht në proceset politike, minojnë besimin e qytetarëve në institucione dhe dëmtojnë kohezionin shoqëror. Për shkak të potencialit të tyre për të minuar vlerat demokratike, dezinformatat mund të destabilizojnë vetë shtetin”, tha presidenti Pendarovski.

Borrell në një video mesazh tha se dezinformatat janë kërcënim për mbarë botën dhe gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) kjo u bë edhe më e qartë se ishte drejtuar ndaj qytetarëve dhe shoqërisë.

“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor tani janë shumë më të vetëdijshëm dhe shumë më rezistentë ndaj dezinformatave”, tha Borrell, duke shtuar se trajtimi i dezinformatave kërkon një qasje në nivel të mbarë shtetit dhe qasje që do të përfshijë tërë shoqërinë.

Ambasadori Gere, nga ana e tij, theksoi se dezinformatat janë një sfidë e madhe globale pas bumit të komunikimit online.

“Kohët e fundit, gjatë pandemisë, kemi qenë dëshmitarë të fuqisë së dezinformatave”, tha Gere.

Kjo është konferenca e dytë e organizuar në këtë format me mbështetjen e BE-së. Ajo bazohet në rezultatet e Konferencës për shkrim-lexim mediatik BE-Ballkani Perëndimor që u organizua në vitin 2020 në Sarajevë dhe Banja Llukë dhe nisma të shumta mbi këtë temë të mbështetura nga BE-ja.

Kategoritë
LajmeRajoni