Pendarovski takohet me anëtarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç

Sipas njoftimit të Kabinetit Presidencial, bashkëbiseduesit vlerësuan se të dy vendet kanë marrëdhënie miqësore dypalëshe, pa çështje të hapura.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, u takua me anëtarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Kabinetit Presidencial, bashkëbiseduesit vlerësuan se të dy vendet kanë marrëdhënie miqësore dypalëshe, pa çështje të hapura.

“Duke shprehur gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, presidenti Pendarovski dhe Xhaferoviç diskutuan mundësinë e krijimit të një fluturimi të drejtpërdrejtë midis Shkupit dhe Sarajevës, si dhe mundësinë e hapjes së një katedre për mësimin e gjuhës boshnjake në Maqedoninë e Veriut” , thuhet në njoftim.

Theksohet se Pendarovski vuri në dukje interesin e Maqedonisë së Veriut për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur tregtinë me Bosnjë e Hercegovinën, e cila, siç u theksua në takim, ngec prapa marrëdhënieve të mira politike.

Në takim, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi aspiratat evropiane të të dy vendeve. Presidenti Pendarovski ripohoi mbështetjen e vendit për aspiratat evropiane të BeH-së. Gjithashtu, në njoftim thuhet se presidenti Pendarovski shprehu gatishmërinë për të ndarë përvojat në lidhje me procesin e integrimit në NATO.

Në njoftimin e Kabinetit Presidencial theksohet se të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen gjithashtu mendime mbi situatën aktuale në rajon.

Ndryshe, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, po qëndron për një vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rastin e 28 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve.

Gjatë vizitës, Xhaferoviç dhe delegacioni i tij vendosën lule në memorialin e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës në komunën e Çairit në Shkup.

Është paralajmëruar se Xhaferoviç do të takohet gjithashtu me kryetarin e parlamentit Talat Xhaferi dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Anëtari i Presidencës së BeH-së Xhaferoviç do të adresohet në akademinë zyrtare në Shkup me rastin e Ditës së Boshnjakëve.​​​​​​​

Kategoritë
LajmeRajoni