Pentagoni: Nuk i kemi dhënë ushtrisë ukrainase koordinatat e kryqëzorit “Moska”

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby nuk i konfirmoi raportimet e mediave se inteligjenca amerikane i kishte dhënë ushtrisë ukrainase informacione me koordinatat e kryqëzorit rus Moskva, i cili më pas u mbyt.

Pretendohet se informacioni i dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e ka ndihmuar Ukrainën të mbysë kryqëzorin rus “Moska”.

Ndërkohë që vazhdon të mbetet enigmë se si është goditur nga Ukraina kryqëzori “Moska”, anija flamurtare e flotës ruse në Detin e Zi, në ShBA është hedhur një pretendim i ri në lidhje me fundosjen e anijes ruse.

Në një lajm të televizionit NBC, referuar zyrtarëve amerikanë, është pretenduar se informacioni i inteligjencës i përcjellë nga shërbimet amerikane e kishte ndihmuar ushtrinë ukrainase të fundoste anijen ruse, kryqëzorin “Moska”.

Sipas lajmit të NBC-së, sulmi ndodhi pasi forcat ukrainase i pyetën amerikanët për një anije që po lundronte në Detin e Zi në jug të Odesës. Inteligjenca amerikane e identifikoi atë anije si “Moska” dhe ndihmoi në konfirmimin e vendndodhjes së saj, dhe më pas ukrainasit e morën në shënjestër kryqëzorin rus.

Nga ana tjetër, pretendohet se ShBA-të nuk e dinin paraprakisht se Ukraina do të godiste kryqëzorin “Moska” dhe nuk ndërhynë në vendimin e ukrainasve për sulm.

Thuhet gjithashtu se ShBA-të i zbulojnë sulmet që vijnë nga anijet ruse dhe e ndajnë këtë informacion me Ukrainën.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) u shmanget komenteve për anijen “Moska”, megjithëse shërbimet amerikane konfirmojnë ndarjen e informacionit në kohë reale me Ukrainën.

“Moska”, një kryqëzor me raketa të drejtuara dhe me një ekuipazh prej 510 vetash, ishte anija flamurtare e Flotës ruse në Detin e Zi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) njoftuan se anija u mbyt më 14 prill pasi ajo ishte goditur me dy raketa “Neptun”.

Kategoritë
BotaLajme