Për shkak të parashkrimit, pushohet procedura penale për korrupsion ndaj Ilir Tolajt

Më 12 janar të këtij viti ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për pikën e vetme të mbetur të akuzës për korrupsion ndaj ish-sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Ilir Tolaj.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në vitin 2012 nën dyshimin për korrupsion, por që procedura penale është pushuar më 12 janar 2022.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepra penale me të cilën ngarkohej Tolaj, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, është e dënueshme me burgim nga 6 muaj deri në pesë vjet.

KPRK në nenin 106, paragrafin 1, pikën 1.4 përcakton se “përveç nëse shprehimisht parashihet ndryshe me këtë Kod, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet” dhe në nenin 107, paragrafin 8 përcakton se “Ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”. E që në rastin konkret, konform dispozitave të lartcekura, parashkrimi absolut i ndjekjes penale për këtë vepër është arritur në fillim të janarit të vitit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tolaj akuzohej nga prokuroria se gjersa kishte shërbyer si sekretar i përshershëm në MSh nga viti 2006 e deri në vitin 2008 dhe tetori 2010 deri më 12 janar 2012, si dhe nga prilli deri në tetor 2010 kur kishte punuar si këshilltar i ish-minsitrit të MSh-së, Bujar Bukoshit, kishte drejtuar një fushatë për të dëmtuar “Jona Med”.

Edhe pse gjykata e shkallës së parë ka arritur që pas kthimit të rastit në rigjykim, për dy pika të akuzës, në fund të 2021-ës, të shpallë aktgjykimin në këtë rast, i njëjti nuk ka arritur të bëhet i formës së prerë për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 dhjetor 2021, ka shpallur aktgjykim lirues për pikën 1.7 ndaj Tolajt.

Ndërsa, kjo gjykatë ka shpallur aktgjykim refuzues për pikën 1.9 ku të akuzuar për korrupsion ishin Tolaj, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha dhe Zenel Kuqi, pasi që më 30 prill 2021 kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Në pikën 1.7 të aktakuzës e akuzuar kishte qenë edhe zyrtarja e MSH-së, Arbenita Pajaziti, por që prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu, më 8 nëntor 2021, kishte bërë precizimin e aktakuzës duke e hequr nga disozitivi atë.

Në arsyetimin e aktgjykimit lirues të shkallës së parë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se nuk është vërtetuar që Tolaj është përgjegjës për veprën penale që i vihej në barrë.

“Gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme për të vërtetuar se me veprimet e të akuzuarit Tolaj, i është shkaktuar dëm Jona Med. Ngjarjet dhe proceset që kanë përfshirë kompaninë “Jona Med” nuk mund të konsiderohen se janë rezultat i ndonjë fushate kundër kësaj kompanie. Trupi gjykues nuk ka arritur që të vërtetojë përfshrijen e të akuzarit Tolaj në këto ngjarje, në shkallë të atillë që do të përbënte tejkalim të ushtrimit të zakonshëm të detyrave dhe kompetencave të tij”, thuhet në aktgjykim.

Sipas këtij vendimi, gjykata ia ka falur besimin mbrojtjes së Tolajt të dhënë në shqyrtimin gjyqësor më 21 dhejtor 2021, pasi që i njejti sipas saj mbështetet në prova materiale, si dhe deklarimit të dëshmitarëve.

Ajo që është thelbësore sipas gjykatës, është fakti që në dispozitivin e aktakauzës së ndryshuar nuk specifikohet nëse ekziston ndonjë palë e dëmtuar, dëmi, lartësia e tij si dhe nëse këto veprime kanë rezultuar në dobi pasurore, dhe se kjo nuk është provuar as gjatë shqyritmit gjyqësor.

“E kjo për më tepër gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor u provua se të tre palët e dëmtuara u deklaruan se nuk këkrojnë dëmshpërblim në lidhje me këtë cështje penale”, thuhet në aktgjykim.

Në fund të aktgjykimit thuhet se gjykata ka gjetur se në veprimet e Tolajt nuk formësohen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

“Kjo pasi që sipas gjykatës nuk ka vërtetuar se ka ekzistuar qëllimi që i njejti të përfitojë dobi për vete apo personin tjetër apo që ti shkaktoj dëm tjetrit ose që seriozisht ti shkelë të drejtat personit tjetër të cilat janë elementet esenciale të kësaj veprë penale, andaj të akuzuarin e liroi nga akuza”, përfundon aktgjykimi.

Ndryshe, ky rast ka filluar të gjykohet nga viti 2012.

Kategoritë
LajmeVendi