Përfundoi raundi i dytë i bisedimeve ruso-ukrainase

Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një sërë çështjesh humanitare, duke përfshirë mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm për organizimin e korridorit të përbashkët humanitar, i cili do të përdoret për evakuimin e civilëve.

Raundi i dytë i negociatave Rusi-Ukrainë u mbajt në qytetin Brest të Bjellorusisë në ditën e 8-ë të sulmeve ruse në Ukrainë.

Delegacioni rus u kryesua nga Vladimir Medinsky, këshilltari i Presidentit të Rusisë Vladimir Putin, kurse delegacionin ukrainas e udhëhoqi Mihail Podolyak, këshilltari i shefit të zyrës së Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Raundi i tretë i negociatave është planifikuar të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur, raportojnë mediat duke cituar kreun e delegacionit ukrainas, Mikhail Podolyak. Në të njëjtën kohë, Podolyak vuri në dukje se Kievi nuk mori rezultatet që Ukraina po llogariste gjatë negociatave me palën ruse.

Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus, tha nga ana e tij se palët arritën të gjenin një mirëkuptim lidhur me pikat në bisedime.

Gjithashtu raportohet se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një sërë çështjesh humanitare, duke përfshirë mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm për organizimin e korridorit të përbashkët humanitar, i cili do të përdoret për evakuimin e civilëve.

Raundi i parë i negociatave ndërmjet delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës për luftën ruso-ukrainase ishte mbajtur më 28 shkurt në rajonin Gomel të Bjellorusisë, në kufirin me Ukrainën por në këtë raund nuk ishte marrë ndonjë rezultat.

Më 24 shkurt trupat ruse filluan një sulm në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme