Përkeqësimi i situatës COVID-19 shkakton kolaps në spitalet kaliforniane

Rritja astronomike e rasteve të COVID-19 në Los Anxhelos ka infektuar me mijëra punonjës të kujdesit shëndetësor javët e fundit dhe ka përkeqësuar në maksimum spitalet, që po përpiqen të kujdesen për pacientët e sëmurë në gjendje kritike.

Më shumë se 2 200 persona, të cilët punojnë në spitalet e kontesë së Los Anxhelesit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 vetëm në dhjetor, që përbën afërsisht një të tretën e të gjithë infektimeve spitalore të raportuara gjatë pandemisë.

Shpërthimi i fundit i COVID-19 i ka bllokuar spitalet e LA-së në një rreth vicioz.

Sa më shumë personel shëndetësor i sëmurë, aq më shumë ka të ngjarë që të tjerët të infektohen, si në punë ashtu edhe jashtë saj.

Kjo, nga ana tjetër, ka intensifikuar mungesat e personelit në spitale, pikërisht atëherë kur popullata ka më shumë nevojë për kujdes mjekësor, raporton ATSh.

Që nga fillimi i pandemisë, 28 448 punonjës të kujdesit shëndetësor dhe reaguesit e parë kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri në Los Anxheles dhe 132 kanë vdekur prej tij.

Spitalet, azilet e pleqve dhe klinikat ambulatore janë vendet me shumicën e rasteve.

Infermierët dhe mjekët po përjetojnë stërmundim të paparë, sepse pacientët COVID-19 kanë tejkaluar kapacitetet spitalore dhe edhe vetë personeli po del jashtë loje nga infektimi me virusin.

Ndryshe nga pranvera, kur mungesa e mjeteve mbrojtëse personale dhe ventilatorëve ishte çështja më e ngutshme, shqetësimet gjatë kësaj rritjeje të fundit kanë qenë kryesisht e përqendruar te personeli shëndetësor.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po ndihmon me mjekë dhe infermierë ushtarakë, për të lehtësuar spitalet në të gjithë Kaliforninë.

Zyrtarët e qarkut të Los Anxhelesit kanë rishpërndarë gati 800 infermierë të klinikave për të punuar në spitalet publike, ndërsa spitalet e tjera lokale kanë rekrutuar mjekë dhe infermierë nga departamente të tjera për të ndihmuar në kujdesin intensiv.

Kategoritë
BotaLajme