“Përpjekja e regjimit autokratik bjellorus për të de-stabilizuar BE-në dështoi plotësisht”

“Përpjekja e regjimit autokratik për të de-stabilizuar vendet tona anëtare ka dështuar plotësisht, sepse unioni ynë reagoi fuqishëm dhe me solidaritet e unitet të madh”, tha von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar përpjekjet e regjimit “autokratik” të Bjellorusisë për të de-stabilizuar Bashkimin Evropian kanë “dështuar plotësisht”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në vetëm një muaj, jo më shumë 3.500 emigrantë janë kthyer të sigurt nga Bjellorusia në Irak”, tha von der Leyen në një seancë plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës.

BE-ja fajësonte presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, për orkestrimin e një krize të vazhdueshme që ka parë mijëra azilkërkues të bllokuar që nga muaji i kaluar në zonën kufitare midis Bjellorusisë dhe fqinjëve të saj të BE-së, Polonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Ajo akuzon Bjellorusinë për nisjen e një sulmi hibrid si hakmarrje për sanksionet e BE-së, duke ftuar “turistë” nga vendet që janë burime kryesore të migrimit në bllokun evropian.

“Përpjekja e regjimit autokratik për të de-stabilizuar vendet tona anëtare ka dështuar plotësisht, sepse unioni ynë reagoi fuqishëm dhe me solidaritet e unitet të madh”, tha von der Leyen.

BE-ja ka zgjeruar sanksionet që shënjestrojnë zyrtarë të nivelit të lartë bjellorus dhe kompanitë e turizmit, përfshirë transportuesin kombëtar ajror Belavia, me çka numri i përgjithshëm i subjekteve në listën e sanksioneve ka arritur në 183.

Blloku evropian po ashtu ra dakord me vendet e origjinës dhe tranzitit, si dhe me operatorët ajror për të ndaluar fluturimet drejt Bjellorusisë dhe për të rikthyer qytetarët e tyre.

Zyrtarja e lartë e BE-së paralajmëron Rusinë

Më tej, von der Leyen tha se kriza e orkestruar kufitare lidhet me një përpjekje të gjerë për të de-stabilizuar demokracinë në BE dhe në fqinjët e saj, e cila sipas saj, përfshin veprime të tilla si ngritja masive ushtarake e Rusisë brenda dhe rreth Ukrainës, si dhe kërcënimi për të ndërprerë furnizimin me gaz në Moldavi.

Zyrtarja e lartë e BE-së paralajmëroi Moskën se blloku evropian është gati për të përdorur “masa të paprecedentë me pasoja të rënda” nëse ajo sulmon Ukrainën.

“Përgjigja jonë ndaj çdo agresioni të mëtejshëm mund të marrë formën e një përshkallëzimi dhe zgjerimi të fuqishëm të sanksioneve ekzistuese. Ne jemi të gatshëm të marrim masa shtesë të paprecedentë me pasoja të rënda për Rusinë”, u shpreh von der Leyen.

Ajo i bëri thirrje Moskës të “de-përshkallëzojë, të ndjekë kanalet diplomatike dhe të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare”.

Zyrtarët e lartë të BE-së në vazhdimësi kanë shprehur mbështetje për Kievin gjatë muajve të fundit, derisa Moska po grumbullon mijëra trupa drejt Ukrainës për herë të dytë këtë vit.

BE-ja ka aplikuar masa kufizuese që nga kriza ukrainase e vitit 2014, respektivisht që kur Moska u jep mbështetje forcave separatiste në Ukrainën lindore, një politikë që ajo e ka mbajtur në shtatë vitet e fundit.

Blloku evropian akuzon Rusinë se nuk po zbaton plotësisht marrëveshjet e Minskut që synojnë të vendosin paqe në Ukrainën lindore.

Momentalisht 188 persona dhe 48 entitete janë në listën e zezë të bllokut evropian për shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, së bashku me sanksione të posaçme ekonomike ndaj sektorëve të financave, energjisë dhe mbrojtjes ruse.

Të hënën, BE-ja vendosi në listën e zezë kompaninë paraushtarake ruse ‘Wagner Group’ për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ndërhyrje në konflikte në mbarë botën, përfshirë në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme