Përplasje mes pozitës dhe opozitës, Kusari-Lila: Nuk po e pranojnë realitetin e po na akuzojnë për kapje të shtetit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka thënë se patën përplasje mes tyre dhe grupeve të tjera parlamentare në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Kusari-Lila tha se shkak i debatit me tone të larta u bë raporti i komisionit funksional, në këtë rast të Komisionit për Media, Administratë Publike dhe Qeverisje Lokale, përmes së cilit iu rekomandohet shkarkimi i pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

“Rekomandimeve për shkak të shkeljeve të evidentuara edhe në raport dhe në funksion të këtij këshilli, Komisioni Funksional i rekomandon seancës plenare, në këtë rast përmes Kryesisë së Kuvendit, shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës. Nga kolegët e mi të dy grupeve parlamentare është kërkuar që të kthehet prapa ky rekomandim pasi s’ka arsye për shkarkim”, tha ajo.

Për këtë çështje, Kusari-Lila tha se morën akuza të rënda.

“Është bërë siç duket praktike e Grupeve Parlamentare të opozitës që për secilin vendim të etiketohemi se kinse dëshirojmë të kapim të gjitha institucionet dhe se po bëjmë shkelje, përderisa çdo gjë është në përputhje në norma, s’mund të kuptohet ndryshe përveçse se pranojnë realitetin e ri në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu tha se ka pasur edhe mospajtime për Marrveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

Kusari-Lila theksoi se i kanë dërguar emrat në përputhje me letrën e rekomanduar.

“U kërcënuam se në rast se nuk e ndërrojmë këtë, PDK nuk do të merr pjesë në delegacionin për MSA-në. Kemi kërcënime, por asnjë përpjekje për zgjidhje konstruktive. Ne i kemi dërguar emrat në përputhshmëri me numrat. Pastaj kur ka ardh koha që të institucionalizohemi si grup për MSA-në ka ardh kërkesa nga PDK që nuk pajtohet që grupi i tyre të jetë i barabartë me atë të LDK-së. Kemi dërguar emrat në përputhje që është bërë nga administrata e Kuvendit. Nuk ka pas kërkesë që të ulemi si shefa të Grupeve Parlamentare e të diskutojmë. Sot u kërcënuam se në rast se nuk ndryshon kjo përbërje, PDK-ja nuk do të marr pjesë në Grupin Parlamentar të MSA-së”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari-Lila.

Kategoritë
LajmeVendi