Përse Ajnshtajni nxjerr gjuhën?

Kanë kaluar 70 vjet që kur është shkrepur fotografia më e famshme të gjitha kohërave. Në qendër të ngjarjes: reporterët insistues dhe Albert Ajnshtajni, që festonte ditëlindjen.

Fizikanti i famshëm, i cili ka lindur në Ulm të Gjermanisë, me 14 mars tw 1951, jeton prej shumë vitesh në SHBA  dhe punon atje në “Institutin për Studime të Avancuara” në Princeton, Nju Xhersi. Në qendrën kërkimore mbahet për nder të tij një ceremoni.

Fotografia e çastit që u bë ikonë

Kur ai ngrihet për të ikur, jashtë e presin paparacët. Ata duan të dëgjojnë nga profesori me famë botërore ndonjë shprehje mendjemprehtë për situatën politike në botë dhe të bëjnë foton perfekte të ditëlindjes. Albert Ajnshtajn ndjehet i bezdisur dhe i lodhur nga të gjitha fjalimet festive, ai e urren gjithsesi zhurmën mediatike rreth personit të tij. Dëshiron thjesht të largohet që andej. Por nuk mundet, sepse ndodhet ulur në sediljen e pasme të një limuzine, midis ish-drejtorit të institutit, Frank Aydelotte dhe gruas së tij Marie. “Mjaft, mjafton …”, duhet t’u ketë thënë ai pandërprerë gazetarëve, por ata nuk e linin rehat: “Hej, profesor, ju lutem buzëqeshni për një foto ditëlindjeje”, thërret njëri prej gazetarëve.

Ajnshtajni, shpirt i lirë, jokonvencional, u nxjerr thjesht gjuhën përndjekësve të tij. Fotografi Arthur Sasse shkrep pikërisht në këtë moment aparatin dhe bën fotografinë e famshme në të gjithë botën.

Profesori i shpërqendruar, me flokë të shpupurishur dhe me veshje të lënë pas dore, që harron aq shpesh të mbathë çorapet, teorinë e relativitetit të të cilit pak kushh e kupton deri më sot, u mitifikua që në të gjallë të tij. Pamja ikonike e kësaj fotografie çasti i jep këtij truri gjenial statusin e një pop-ikone.

Por nuk është fotografi Arthur Sasse, që i jep fotografisë famë botërore, por vetë Albert Ajnshtajni. Atij i pëlqen fotografia, porosit shumë printime të tjera dhe i pret ato në mënyrë të tillë, që çifti Aydelottes të mos duket, por vetëm portreti i tij me gjuhën e nxjerrë jashtë.

Ai ua dërgon atë gjithë kolegëve, miqve dhe të njohurve. “Gjuha e nxjerrë pasqyron pikëpamjet e mia politike”, duhet t’i ketë thënë ai në konfidencë mikeshës së tij të fundit, Johanna Fantova.

Ajnshtajni rreth budallallëkut njerëzor

Ajnshtajni, i cili qe hebre, kishte ikur nga Gjermania naziste. Ai e dinte se si ndjehesh, kur shteti bën gjueti shtrigash ndaj një grupi të caktuar. Prandaj atij nuk i pëlqente Lufta e Ftohtë dhe përndjekja e gjoja komunistëve, e nxitur nga senatori John McCarthy, prej së cilës shumë politikanë, intelektualë dhe artistë akuzoheshin si “jo-amerikanë”.

“Sundimi i budallenjve është i pamundur të kapërcehet, sepse janë aq shumë dhe votat e tyre kanë po aq vlerë sa dhe tonat,” thoshte ai. I Ajshtajnit duhet  duhet të jetë edhe ky citat: “Dy gjëra janë të pafundme: Universi dhe budallallëku njerëzor. Por për universin nuk jam ende krejt i sigurt”.

Këtij budallallëku Ajnashtajni i konfrontohej me gjenialitet – dhe me gjuhën e nxjerrë jashtë. Sot këtë fotografi e gjen ende të riprodhuar miliona herë: në postera dhe bluza, kartolina urimi, filxhanë dhe piktura. Profesori gjenial ka adhurues të shumtë edhe në mesin e brezit të sotëm./DW

Kategoritë
FunTë ndryshme