Persona të intervistuar si të dyshuar do të dëshmojnë në gjyqin ndaj krerëve të UÇK-së

Persona të cilët fillimisht janë intervistuar si të dyshuar nga Specialja do të dëshmojnë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Këta dëshmitarë janë identifikuar nga Prokuroria.

Avokatët e krerëve të UÇK-së në Hagë kanë dorëzuar parashtresat e tyre që kanë të bëjnë me ankesat sa i përket informacioneve konfidenciale si dhe kontaktit me dëshmitarët.

Ndër të tjera, në parashtresat e avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, është theksuar se Prokuroria e Speciales ka identifikuar mbi 300 dëshmitarë, disa prej të cilëve do të dëshmojnë edhe publikisht, ndërsa që disa të tjerë janë intervistuar njëherë si të dyshuar në Hagë.

“Nga mbi 300 dëshmitarët që Prokuroria ka identifikuar, ka shumë për të cilët qëllimi i deklaruar i këtij protokolli thjesht nuk zbatohet. Për shembull, ka dhjetëra dëshmitarë që Prokuroria synon t’i thërrasë, të cilët do të dëshmojnë publikisht, nuk kanë shprehur frikë për të dëshmuar dhe që fillimisht janë intervistuar si të dyshuar. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se dëshmitarë të tillë do të “ritraumatizoheshin” nëse Mbrojtja do t’u afrohej. Protokolli i Prokurorisë nuk e avancon qëllimin e tij të deklaruar në lidhje me këta dëshmitarë. Megjithatë, ajo rëndon ndjeshëm procedurat dhe cenon të drejtat e të pandehurve. Si i tillë, protokolli siç është propozuar është tepër i gjerë”, thuhet në ankesën e Emmerson ku flitet për të drejtat e avokatëve mbrojtës në kuadër të qasjes ndaj dëshmitarëve.

Emmerson tutje ka thënë se Prokuroria e Specializuar po cenon rëndë të drejtat e të akuzuarve pasi që ajo ka pasur më shumë se 10 vite kohë për të hetuar akuzat ndaj Veselit dhe të tjerëve, ndërsa aplikon standarde të dyfishta karshi mbrojtjes.

“Protokolli i propozuar cenon të drejtat themelore të të akuzuarit sepse cenon parimin e barazisë së armëve. Mbrojtja kujton se Prokuroria ka pasur më shumë se dhjetë vjet për të hetuar akuzat kundër z. Veseli. Gjatë kësaj kohe, Prokuroria ka kontaktuar dhe intervistuar mijëra dëshmitarë të mundshëm. SPO-ja ka gëzuar lirinë në zgjedhjen e metodologjisë së kontaktimit dhe intervistimit të dëshmitarëve, e cila përfshinte takime joformale dhe jo të regjistruara”, thuhet tutje në parashtresën e Emmerson.

Ai tutje ka përmendur edhe metodologjitë e përdorura nga Prokuroria për intervistimin e dëshmitarëve, të cilat mbrojtja nuk i ka pasur në dispozicion.

“Për t’i kryer ato intervista, Prokuroria u mbështet në një sërë metodash, duke përfshirë udhëtimin në Kosovë për të kryer intervista në një objekt të specializuar afër dëshmitarëve, si dhe lëshimin e thirrjeve, dhe në disa raste thirrjeve për t’u paraqitur në Hagë. Mbrojtja nuk i ka të njëjtat mjete në dispozicion. Në vend të kësaj, Mbrojtja mbështetet kryesisht në udhëtimin te dëshmitari dhe takimin me ta sipas kushteve të tyre. Për të siguruar prova për çështjen e saj, Mbrojtjes i kërkohet të jetë jashtëzakonisht fleksibël me kohën e vet, si dhe takimet shpesh konfirmohen nga dëshmitari vetëm në një njoftim jashtëzakonisht të shkurtër dhe gjatë “orarit të lirë” kur dëshmitari nuk punon”, thuhet në ankesën e Emmerson.

Ndryshe, aktualisht në Speciale janë duke u zhvilluar katër procedura penale, tri prej të cilave janë për krime lufte, shkruan lajmi.net.

Megjithëse Specialja ka ftuar dhjetëra persona si dëshmitarë, që një kohë të gjatë nuk është se ka pasur zhvillime në inicimin e aktakuzave të reja

Kategoritë
LajmeVendi