Përvjetori i 828-të i vdekjes së Çliruesit të Kudsit, Salahudin Ejubi

Salahudin Ejubi, të cilin historianët lindor dhe ata perëndimor e vlerësuan për udhëheqësinë dhe drejtësinë, u bë sundimtari i parë që përdori titullin shërbëtori i Mekës dhe Medinës për shkak të rëndësisë që ai i dha rajonit të Hixhazit.

Salahudin Ejubi, i cili u bë një nga heronjtë më të rëndësishëm të botës islame duke çliruar Kudsin e shenjtë për të tre fetë qiellore nga pushtimi 88-vjeçar i Kryqtarëve, ndërroi jetën 828 vjet më parë në Damask.

Salahudin Ejubi, të cilin historianët lindor dhe ata perëndimor e vlerësuan për udhëheqësinë dhe drejtësinë, u bë sundimtari i parë që përdori titullin “Khadim ul-Haramain” (shërbëtori i Mekës dhe Medinës) për shkak të rëndësisë që ai i dha rajonit të Hixhazit.

Kudsi, i cili mbetet nën sundimin e muslimanëve për një kohë të gjatë, pas çlirimit në vitin 638 gjatë periudhës së kalifatit të hazreti Omerit, në fund të Kryqëzatës së Parë në vitin 1099 përsëri u pushtua nga të krishterët.

Sipas informacioneve të Anadolu Agency (AA) të mbledhura nga burime të ndryshme, komandanti që do të shpëtojë qytetin nën pushtimin e Kryqtarëve ka lindur në Tikrit të Irakut në vitin 1138. Babai i Salahudin Ejubit ishte Najmudin Ejubi, i cili shërbeu si guvernator i Tikritit, Ba’lebek dhe Damaskut nën dinastinë Zengite.

Salahudini, i cili u rrit si një princ dhe mori një arsimim të mirë, në moshë të re u ngrit në udhëheqësinë e Damaskut duke marrë pjesë në operacionin ushtarak kundër kryqtarëve.

Ai i dha fund kalifatit Fatimid

Salahudini, i cili mori pjesë në operacionet ushtarake në Egjipt nën sundimin Fatimid gjatë viteve 1164-1169 nën komandën e xhaxhait të Nour al-Din al-Zenki, Asaduddin Shirkuh, i cili ishte komandant i ushtrisë, doli në pah si një ushtar dhe administrator i suksesshëm.

Si zëvendës i Nour al-Din al-Zenki, Salahudini filloi të sundonte Egjiptin dhe vendet e lidhura me Egjiptin si një sundimtar i pavarur, nisi një luftë ndaj Fatimidëve që rezistuan kundër tij dhe turqve, poashtu ai luftoi kundër Kryqtarëve dhe Bizantinëve që mbështetnin Fatimidët.

Salahudini, i cili kishte kontroll të plotë mbi Egjiptin, riorganizoi ushtrinë, hapi medresetë sunite dhe institucione të reja. Ai gradualisht likuidoi burokracinë Fatimide dhe në vitin 1171 i dha fund kalifatit Fatimid.

Salahudini shkoi në operacionin ushtarak kundër Mbretërisë Kryqtare të Kudsit në vitet 1170 dhe 1173. Gjithashtu në vitin 1173, ai i mori nën kontroll me operacionet ushtarake ndaj Jemenit dhe Hixhazit, nën komandën e vëllait të tij, Turan Shah.

Kur ndërroi jetë Nour al-Din al-Zenki në vitin 1174, djali i tij 11-vjeçar As-Salih Ismail al-Malik u ul në postin e tij. Salahudin Ejubi i qëndroi besnik Salihut, mbajti hutbe dhe shtypi monedha për të.

Pas vdekjes së Salihut në një moshë të re, Salahudini u zhvendos në lindje të Eufratit në vitin 1181, ku çliroi qytete në rajonin Al-Jezeera si Dijarbakir, Urfa, Harran, Raqqa, Habur, Ra’sul Ayn, Dera, Nusaybin, dhe më pas me rëndësi strategjike Halepin, i cila hapi rrugën për në Kuds.

Çlirimi i Kudsit

Salahudini, nga njëra anë përpiqej për të shpëtuar shtetin nga shpërbërja dhe për të vendosur unitetin islam në Lindjen e Mesme, ndërsa nga ana tjetër ai u detyrua të luftonte Kryqtarët. Operacioni i tij i parë i madh kundër Kryqtarëve gjatë kësaj periudhe ishte operacioni ushtarak Gaza-Askalan, të cilën ai e kreu midis 14 nëntorit dhe 9 dhjetorit të vitit 1177.

Salahudin Ejubi kur vërejti që rezistenca e armikut ishte më e dobët gjatë kësaj operacioni ushtarak nga Egjipti menjëherë vazhdoi drejt Ramla-s. Ndërkohë, Forcat e Mbretërisë së Kudsit nën komandën e Mbretit IV Baudouin dhe Renauld de Chatillon e sulmuan atë papritmas dhe më pas ushtria e Salahudinit u tërhoq.

Salahudini plagët e humbjes së Ramla-s i shëroi për vetëm dy muaj dhe u zhvendos nga Kajro në Damask. Kryqtarët që kishin rrethuar Harimin u tërhoqën pas mbërritjes së tij.

Ai rrethoi kështjellën që Kryqtarët ndërtuan në një vend të quajtur Beyt Al-Ahzan në një pikë që mbizotëronte në rrugën e Damaskut dhe e mori atë më 24 gusht 1179. Pas kësaj, kryqtarët u detyruan të kërkonin paqe.

Salahudini, i cili arriti një fitore të madhe në betejën e ashpër me Kryqtarët në vendin e quajtur Hittin në korrik të vitit 1187, e shkatërroi ushtrinë e Kryqtarëve dhe i zuri rob disa prej tyre. Midis të burgosurve ishin edhe mbreti Guy de Lusignan dhe sundimtari i rajonit Kerak-Shoubak, Renauld de Chatillon.

Pas kësaj fitoreje, Salahudini filloi një operacion çlirimi të shpejtë dhe mori nën kontroll shumë kështjella në Palestinë. Pasi pushtoi 52 qytete të të gjitha madhësive brenda pak javësh, ai më 20 shtator 1187 rrethoi Kudsin. Kudsi u çlirua të premten, më 2 tetor 1187, në përvjetorin e mrekullisë së Miraxhit të Hazreti Muhammedit.

Ai e pastroi me duart e tij Mesxhid al-Aksanë të shkatërruar nga Kryqtarët

Kryqtarët u dëbuan nga qyteti, ndërsa fitorja u festua me një pjekuri të madhe pa ndonjë teprim. Gjithashtu ai lejoi hebrenjtë dhe të krishterët e tjerë të vendoseshin në qytet.

Salahudin Ejubi Mesxhid al-Aksanë e cila u shkatërrua nga Kryqtarët e pastroi me duart e tij dhe e lau atë me vaj trëndafili. Ai gjithashtu e pastroi Harem-i Sherifin edhe nga simbolet e të krishterëve.

Pas largimit të kryqit në Kupolën e Shkëmbit , zëri i ezanit, i cili nuk mund të dëgjohej për 88 vjet, filloi të jehojë përsëri në qiellin e Kudsit.

Në të njëjtin vit, Salahudini, i cili u nis në një operacion ushtarak kundër Kontit të Tripolit dhe Principatës së Antiokisë e formuar nga Kryqtarët, mori kontrollën e disa kështjellve që i përkisnin Tripolit dhe shumicën e tokave në Principatën e Antakisë.

Nga ana tjetër, pas rënies së Kudsit dhe shumë prej kështjellave të tij, u organizua një Kryqëzatë e re në të cilën morën pjesë të gjitha vendet e Evropës Perëndimore. Kryqtarët në vitin 1189 rrethuan vendbanimin Akka. Midis ushtrisë së Salahudinit dhe kryqtarëve ndodhën beteja të ashpra në afërsi të Akkës për gati dy vjet.

Mbreti i Francës Philippe Auguste, perandori gjerman Barbarossa, dhe mbreti britanik Richard the Lionheart iu bashkuan luftës me ushtritë dhe flotat e tyre. Më 12 korrik Akka u morr nga Kryqtarët. Ndërkaq, Salahudin ua prishi përpjekjet e Kryqtarëve për të marrë Kudsin. Më vonë, më 1 shtator 1192, midis të dy palëve u nënshkrua një marrëveshje paqeje me kohëzgjatje prej 3 vjet e 8 muaj.

Salahudini menjëherë pasi nënshkroi një marrëveshje me Kryqtarët ndërroi jetë në Damask më 4 mars 1193, ndërsa varri i tij është në varrezat e Xhamisë Emevite në Damask.

I dha fund ndarjes ideologjike

Kur ndërroi jetë për të u lexuan hutbe nëpër xhami në Egjipt, Libi, Jemen, Palestinë, Siri, Anatolinë Lindore dhe Juglindore, Malatya, Ahlat, Irakun Verior deri në Hamadan.

Salahudin Ejubi hyri në histori si një burrë shteti i madh që vendosi një unitet politik që përfshinte një zonë të gjerë. Salahudini i dha fund copëtimit ideologjik në rajon duke krijuar një ushtri të fortë dhe një administratë shtetërore që funksionon mirë duke shkatërruar kalifatin Fatimid.

Një arritje tjetër e madhe e Salahudin Ejubit që hyri në histori është çlirimi i Kudsit dhe shumë vende të kontrolluara nga Kryqtarët. Çlirimi i Kudsit e bëri atë një nga heronjtë më të famshëm të botës islame.

Gjatë sundimit të Salahudinit, i cili gjithashtu ishte i interesuar nga afër për aktivitetet e ndërtimit, ai ndërtoi shumë medrese, teqe, xhamia, ura, kështjella dhe banja në Palestinë, Egjipt, Hixhaz dhe në Jemen.

Për shkak të rëndësisë që u kushtonte dijetarëve dhe artistëve, Siria dhe Egjipti u bënë qendra të rëndësishme të shkencës në botën islame. Salahudin Ejubi, i cili gjithashtu i dha rëndësi rajonit të Hixhazit, veçanërisht Mekës dhe Medinës, u bë sundimtari i parë që përdori titullin “Khadim al-Haramayn” (Shërbëtori i Mekës dhe Medines).

Historianët e Lindjes dhe të Perëndimit e vlerësuan atë

Muslimanët panë tek ai një Sulltan ideal, kurse Kryqtarët një hero të vërtetë të Islamit. Ai është vlerësuar shumë në veprat e shkrimtarëve dhe të historianëve lindor dhe perëndimor.

Historiani francez Albert Champdor e përshkroi Salahudin Ejubin si “heroi më i pastër i Islamit” për shkak të trimërisë dhe drejtësisë së tij kundër armiqve të tij.

Salahudin Ejubi me çdo kusht e mbante premtimin e dhënë dhe i pëlqente të falte. Njerëzve që u jepte besim kurrsesi nuk i dënonte. Gjithashtu, Kryqtarët me të cilët ai luftoi për një kohë të gjatë e vlerësuan shumë këtë tipar të tij.

Salahudin Ejubi i njohur si një Sulltan bujar, kur vdiq në thesarin e tij privat kishte mbetur vetëm 1 dinar egjiptian dhe 36 dirhem Nasiri.

Kategoritë
BotaLajme