Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë, paralajmëron distancim nga dialogu

Shefit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka njoftuar për refuzimin e hyrjes në territorin e Kosovës, i planifikuar të bëhet me datën 24 dhe 25 nëntor në nder të kremtave të Manastirit të Deçanit.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, thuhet se refuzimi është bërë nga autoritetet kosovare, teksa paralajmërohet edhe distancim nga dialogu me Kosovën, raporton lajmi.net.

“Çdo lëvizje të re që bën, Albin Kurti na distancon nga dialogu dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve, dhe me ndalime të tilla shkel drejtpërdrejt të gjitha marrëveshjet për lirinë e lëvizjes dhe vizitat zyrtare, përveç të gjitha marrëveshjeve të tjera që nuk i respekton”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo zyrë.

Siç thekson komunikata tutje, një gjë e tillë do të adresohet edhe tek ndërmjetësuesi i dalogut nga BE-ja, Miroslav Lajçak.

Lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet telefonit dhe postës elektronike, por deri në momentin e publikimit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga ky institucion.

Siç pretendojnë nga kjo zyrë, kjo është hera e katërt që Petkoviqit i refuzohet hyrja në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi