Pfizer/BioNTech theksojnë se vaksina mbron për 6 muaj

Studimi kryesor i Fazës së 3-të tregoi se vaksina ka qenë “91,3 për qind efektive kundër COVID-19, e matur shtatë ditë deri në gjashtë muaj pas dozës së dytë”, theksuan kompanitë

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech njoftuan se vaksina e tyre kundër koronavirusit të ri (COVID-19) është efektive deri në gjashtë muaj pas dozës së dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Studimi kryesor i Fazës së 3-të tregoi se vaksina ka qenë “91,3 për qind efektive kundër COVID-19, e matur shtatë ditë deri në gjashtë muaj pas dozës së dytë”, theksuan kompanitë në një deklaratë të përbashkët.

Derisa Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e gjetën vaksinën 100 për qind efektive kundër sëmundjes së rëndë, ndërsa Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha se është 95,3 për qind efektive.

Të dhënat e sigurisë të mbledhura nga më shumë se 12.000 pjesëmarrës të vaksinuar, të cilët kanë pasur kohë ndjekjeje të paktën gjashtë muaj pas dozës së dytë, demonstruan “një profil të favorshëm të sigurisë dhe tolerancës”, sipas deklaratës.

“Këto të dhëna konfirmojnë efikasitetin e favorshëm dhe profilin e sigurisë së vaksinës sonë dhe na pozicionojnë që të paraqesim një Aplikim për Biologji në FDA të SHBA-ve”, tha Albert Bourla, kryetari dhe drejtor ekzekutiv i Pfizer-it.

“Efikasiteti i lartë i vaksinës i vëzhguar deri në gjashtë muaj pas dozës së dytë edhe kundër variantit të përhapur në Afrikën e Jugut siguron besim të mëtejshëm në efektivitetin e përgjithshëm të vaksinës sonë,” vazhdoi Bourla.

Testi u zhvillua me 46.307 pjesëmarrës.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme