Philip Reeker vizitë në Shqipëri

Zyrtari amerikan është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Ndihmëssekretari në detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency(AA).

Zyrtari amerikan fillimisht është takuar me kryeministrin Edi Rama në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pa praninë e mediave.

Reeker, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, është takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ndërsa nuk ka pasur deklaratë për mediat pas takimit.

Sipas njoftimit nga Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, gjatë takimeve, Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit.

“Ai (Reeker) nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Reeker përgëzoi udhëheqësit e Shqipërisë për “suksesin e tyre në mikpritjen e Stërvitjes Defender Europe 21”, e cila, sipas njoftimit, theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.

“Ai mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndihmës sekretari në detyrë përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Evropian”, theksohet në njoftim.

Pas vizitës në Shqipëri, Reeker do të qëndrojë në Ohër, ku do të marrë pjesë në Konferencën “Rruga për në Prespë”, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, “për të theksuar mbështetjen e SHBA-së për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në gjithë rajonin”.

Kategoritë
LajmeRajoni