Pilotët e FSK-së vazhdojnë rifreskimin e shkathtësive në pilotim në Qendrën e Aviacionit Tokësor në Turqi

“Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për mbështetjen nga Akademia Turke e Aviacionit Tokësor”, tha ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Pilotë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdojnë të rifreskojnë shkathtësitë teorike dhe praktike në pilotim dhe mirëmbajtje të helikopterëve në Qendrën e Aviacionit Tokësor në Turqi, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri Mehaj nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se ngritja e kapaciteteve ajrore e institucioneve të sigurisë së Kosovës është nevojë për realizim të suksesshëm të operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale.

Duke publikuar fotografi nga trajnimi i ushtarëve kosovarë, ministri Mehaj ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim të lartë për mbështetjen e dhënë nga Akademia Turke e Aviacionit Tokësor, por nuk është bërë i ditur numri i pjesëmarrësve nga Kosova në këtë trajnim dhe koha e mbajtjes së tij.

“Në kohën kur jemi në fazën inicuese të ngritjes së kapaciteteve ajrore, ky projekt është shumë i rëndësishëm për rigjenerim të shkathtësive në MEDEVAC (Evakuim Mjekësor), si dhe reagimit në kriza dhe emergjenca të tjera nga ajri. Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për mbështetjen nga Akademia Turke e Aviacionit Tokësor”, tha Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Armend Mehaj ka vizituar në shtator të këtij viti Akademinë Ushtarake Tokësore në Turqi, ku përveç kuadrove të forcave turke, tash e disa vite, studiojnë edhe kuadrot e oficerëve dhe nënoficerëve të FSK-së.

Mehaj gjatë kësaj vizite ishte pritur nga komandanti i Akademisë Ushtarake Tokësore turke, gjeneral Gultekin Yarali, nga i cili është njoftuar për historikun, misionin, strukturën, kushtet dhe ambientet e studimeve dhe stërvitjeve, si dhe plan-programin mësimor teorik dhe praktik.

Kategoritë
BotaLajme