Pjesëtarë të Policisë së Kosovës u gjuajtën me armë gjatë një aksioni policor në veri

Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por, aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material’’, shkroi Sveçla në rrjetet sociale

Gjatë një aksioni policor në pjesën veriore të Kosovës, ku shumica e banorëve janë nga komuniteti serb, janë gjuajtur me armë zjarri pjesëtarët e Policisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se janë sulmuar pjesëtarët e policisë, të cilët nuk kanë pësuar ndonjë lëndim, derisa ka thënë se “pandalshëm do ta luftojmë krimin në Republikën tonë”.

“Në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës, policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10.000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg. Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por, aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.

Më tej, ministri bëri të ditur se puna e policisë është rezultat i vendosmërisë së madhe, duke bërë që çdo ditë e më shumë “Kosova të çlirohet nga krimi”.

Aksioni anti-kontrabandë i Policisë në veri të Kosovës i cili ende po vazhdon, është kryer në koordinim me Doganën e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi