Plot mister vdekja e 4 shtetasve rusë, Moska sjell ekspertë në Tiranë

Një ngjarje e rëndë është shënuar mesnatën e së premtes në Qerret, ku 4 shtetas rusë u gjetën të pajetë brenda një hoteli. Natalia Burenkova, 58 vjeç, Sergei Burenkova, 60 vjeç, dhëndri i tyre Nikita Belousov, 37 vjeç dha vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dyshohet se u asfiksuan, ndërsa raportimet nga uniformat blu kanë qenë kontradiktore.

Fillimisht u tha se ata janë gjetur të asfiksuar në sauna, por dje ndryshoi totalisht dinamika, pasi ata janë gjetur të pajetë në pishinë. Sipas informacioneve të fundit se ata janë gjetur dy në shezlongët e pishinës dimërore, një buzë pishinës me gjysmën e trupit në ujë dhe një afër dhomës së saunës. Punonjësi që përgjigjet për pishinën e kishte pastruar gjatë ditës duke përdorur dhe klor, por është shumë e dyshimtë që asfiksia e tyre të ketë ardhur njëkohësisht dhe për të katërt nga përqindja e klorit në ujë. Në këto rrethana misteri mbi vdekjen e tyre është i madh edhe për grupin hetimor, burime nga i cili thonë se pista më e mundshme është ajo e një vrasjeje pa gjurmë.

Ndërkohë në fillim të javës pritet që të dalin rezultatet e autopsisë. të cilat do të hedhin më shumë dritë mbi shkakun e vdekjes. Aktualisht janë marrë kampionët për analizimin e pranisë në gjak të drogës, alkoolit apo lëndëve helmuese dhe pritet që në fillim javë të dalë ekspertiza paraprake e shkakut të vdekjes. Mjekësia ligjore do të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe orën ndërsa në ambientet ku ata janë gjetur pajetë nuk ka prani të ndonjë sendi të ndaluar apo shenja dhune në trupat e tyre. Dy çiftet e familjeve ruse ndodheshin në Shqipëri në kuadër të një udhëtimi turistik dhe pak orë para se të ndalonin në hotel “Gloria” në Qerret dhe të përdornin ambienteve e SPA përfshi edhe pishinën dimërore ata kishin ardhur nga Ohri drejt Shqipërisë.

Pas deklarimeve stafi i hotelit është lënë i lirë ndërsa janë sekuestruar lista e pushuesve të akomoduar në këtë resort prej 1 jave, kamerat e sigurisë dhe mostrat e ujit të pishinës dimërore për të analizuar nëse një faktor i jashtëm u ka marrë jetën atyre. Ndërkohë që mediat ruse japin të tjera detaje për ngjarjen e rëndë ku thonë se gruaja e moshuar ka qenë e diagnostikuar me kancer dhe se asnjë nga anëtarët e familjes nuk përdor alkool ose drogë.

Reagon Ministria e Jashtme ruse

Lidhur me ngjarjen në fjalë ka reaguar edhe Ministria e Jashtme ruse, e cila pritet të sjellë ekspertë të saj në Tiranë për të monitoruar hetimin dhe për të asistuar në të.

“Për vdekjen e katër shtetasve rusë në Shqipëri. Ambasada Ruse në Shqipëri konfirmon vdekjen e katër shtetasve rusë (Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov) në një hotel pranë Qerretit. Departamenti Konsullor i Ambasadës është në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendit që po heton rrethanat e asaj që ndodhi. Ne presim një hetim të plotë nga pala shqiptare për shkaqet e vdekjes së rusëve. Njoftohen të afërmit e të ndjerëve. Do të ketë riatdhesim të trupave në atdheun e tyre”, shprehet Ministria e Jashtme ruse.

Kategoritë
BotaLajme