Polemika në Gjermani, hebrenjtë kundër Turit që kalon përpara kampit nazist

Në datat 26 deri në 29 gusht, zhvillohet turi i çiklizmit në Gjermani. Pjesë e itinerarit është dhe një ish kamp përqendrimi. Gjë që ka shkaktuar shumë polemika, pasi konsiderohet si një mungesë respekti për rreth 56 mijë të vrarët në këtë kamp

“Rruga e gjakut” nuk është sfondi i duhur për ndalesat me kronometër dhe fluturimet në grup. Për këtë është i bindur këshilli qendror hebre dhe drejtoria e muzeut të Buhenvald, të zemëruar nga lajmi se turi i çiklizmit të Gjermanisë do të duhet të kalojë nga memoriali i kampit të përqendrimit.

Në një letër të hapur për mediet gjermane ata shprehen se është një çështje mirëkuptimi që të anashkalohet ky vend, dhe të mos vendosen korridoret përballë varreve masive dhe memorialeve të ngritur në kujtim të të vrarëve. Ata këmbëngulin se ministri federal i ekonomisë duhet të jetë i verbër, që ka autorizuar këtë itinerar.

Sipas këshillit qendror hebre, përgjegjësit e planifikimit nuk kanë asnjë ndjeshmëri ndaj historisë. Të bëhet xhiro me biçikletë në këtë vend do të ishte mungesë respekti, theksojnë ata.

Organizatori i turit mbrojti zgjedhjen e tij duke thënë se itinerari u planifikua dhe u diskutua zyrtarisht një vit më parë. Sipas tij turi prezanton diversitetin natyror, kulturor dhe historik të republikës federale. Dhe pjesë e tij është dhe kalimi para memorialit.

Gara e çiklizmit do të zhvillohet nga data 26 deri në 29 gusht. Memoriali i Buhenvald ndodhet në kampin e ndërtuar në vitin 1937 nga nazistët, ku u mbajtën 280 mijë persona.

Më shumë se 56 mijë e tyre humbën jetën nga torturat, eksperimenteve mjekësore dhe ekzekutimet. Rruga e Gjakut që u ndërtua nga të burgosurit është ajo që të çon atje kur dikur ndodhej kampi.

Kategoritë
BotaLajme