Policia gjermane arreston për pak kohë kryenegociatorin e BE-së për marrëveshjen bërthamore të Iranit

Diplomati i lartë Enrique Mora tha se u mbajt në aeroportin e Frankfurtit gjatë kthimit nga Teherani.

Diplomati i lartë i BE-së, Enrique Mora, u arrestua për një kohë të shkurtër sot nga policia gjermane në aeroportin e Frankfurtit, teksa po kthehej nga Teherani, pas bisedimeve mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Kryenegociatori i BE-së për marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i shërbimit diplomatik të BE-së, arrestimin e tij nga policia gjermane në aeroportin e Frankfurtit gjatë kthimit për në Bruksel, e bëri të ditur përmes një postimi në Twitter.

Diplomati më vonë njoftoi se u lirua, por autoritetet refuzuan t’i jepnin ndonjë shpjegim.

Ambasadori i BE-së në përfaqësinë e OKB-së në Vjenë dhe kreu i task-forcës iraniane të shërbimit diplomatik të BE-së u arrestuan gjithashtu veçmas, shtoi Mora.

Mora theksoi se veprimi i policisë gjermane mund të ketë shkelur Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike që siguron mbrojtje për diplomatët.

Mora udhëtoi të martën në Teheran për të zhvilluar bisedime me zëvendësministrin e Jashtëm iranian dhe negociatorin kryesor bërthamor, Bagheri Kani, dhe zyrtarë të tjerë për rifillimin e negociatave midis Iranit dhe palëve të tjera në marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Ai u largua nga kryeqyteti iranian të enjten mbrëma.

Diplomacia e BE-së ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të rikthyer Iranin dhe SHBA-në në tryezën e negociatave që nga fillimi i plasaritjeve midis dy vendeve.

Nën kryesimin e BE-së, përfaqësues nga Irani, Kina, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania kanë negociuar për muaj të tërë në kryeqytetin austriak të Vjenës për të siguruar pajtueshmërinë e plotë dhe për të rikthyer SHBA-në në marrëveshje.

Marrëveshja bërthamore e Iranit, e quajtur zyrtarisht Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në vitin 2015 nga Irani, SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe BE-ja.

Sipas marrëveshjes, Teherani është zotuar të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor për qëllime civile dhe në këmbim, fuqitë botërore ranë dakord të heqin sanksionet e tyre ekonomike kundër Iranit.

SHBA-ja, nën ish-presidentin Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit, duke e shtyrë Teheranin të mos respektonte zbatimin e marrëveshjes bërthamore.

Kategoritë
BotaLajme