Policia turke do të shërbejë në kufirin hungarez me Serbinë dhe Rumaninë

Ministrat e Brendshëm të Turqisë dhe Hungarisë nënshkruan një Memorandum të Mirëkuptimit në Budapest.

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Süleyman Soylu, bëri të ditur se policia turke do të shërbejë në vendkalimet kufitare hungareze me Serbinë dhe Rumaninë si pjesë e protokollit të nënshkruar me Hungarinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Soylu, i cili ndodhet në kryeqytetin hungarez Budapest, u takua me homologun e tij Sandor Pinter.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Soylu tha se kanë nënshkruar në Memorandum shumë të rëndësishëm të Mirëkuptimit si pjesë e marrëveshjes së arritur në Këshillin e Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Strategjik të mbajtur në Ankara më 11 nëntor, ku morën pjesë presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri hungarez Viktor Orban.

Duke theksuar se pandemia, migracioni dhe çështjet energjetike përbëjnë probleme në nivel global, Soylu tha: “Përpos këtyre problemeve globale, ka edhe probleme rajonale që na shqetësojnë të gjithëve. Për fat të keq, ne përballemi me krime ndërkufitare siç janë terrorizmi, droga dhe problemet globale si krimi kibernetik”.

“Një nga hapat më të rëndësishëm që duhet të ndërmarrim kundër tyre është bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar”, shtoi ai.

Soylu tha se policia turke dhe hungareze do të marrë pjesë në një projekt të përbashkët për të luftuar migrimin e paligjshëm, drogën dhe krimet ndërkufitare.

Pinter, i cili njëkohësisht është edhe zv/kryeministër i Hungarisë, u shpreh se “Ne jemi falënderues për ofertën e Turqisë dhe e pranojmë atë me respekt”.

Si pjesë e marrëveshjes, Turqia do të dërgojë 50 zyrtarë policorë në Hungari.

Kategoritë
BotaLajme