Politikani opozitar serb: Vuçiqi më tha se ka shumë presion, dyshoj se do ta nënshkruajë njohjen e Kosovës

Kryetari i partisë së djathtë serbe, Dveri, Boshko Obradoviq, deklaroi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u tha partive opozitare në një takim se ka presion të madh për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Obradoviq tha në RTS se në takimin në të cilin Vuçiqi e informoi një pjesë të opozitës për rrjedhën e dialogut, është thënë se qeveria aktuale serbe nuk do ta njohë shtetin e Kosovës në këtë mandatin.

“Unë u përgjigja se kam mosbesim ndaj autoriteteve sepse nënshkrimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Washingtonit ishin hapa antikushtetues drejt njohjes së shtetit të Kosovës. Mësova se presioni mbi Serbinë po intensifikohet, veçanërisht në periudhën para zgjedhjeve gjermane dhe franceze”, ka thënë Obradoviq.

Ai gjithashtu shprehu dyshime se qeveria serbe është e gatshme ta nënshkruante njohjen e shtetit të Kosovës.

“Ne jemi opozitë ndaj kësaj qeverie, por jo ndaj shtetit. Sigurisht, ne mbështesim shtetin kur ai mbron Kosovën si pjesë të Serbisë, ashtu si do ta kundërshtojmë çdo qeveri që mendon ta njohë shtetin e rremë të Kosovës”, tha Obradoviq.

Kategoritë
LajmeRajoni