Polonia falënderon Turqinë për ndarjen e njohurive në lidhje me pritjen e migrantëve

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Erdoğan dhe Duda përshëndetën lidhjet dypalëshe, ndërsa Duda i përcolli mirënjohjen e tij homologut Erdoğan për “ndarjen e të gjithë njohurive” për pritjen e migrantëve

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan sot i vazhdoi përpjekjet diplomatike për një armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë, duke pritur homologun e tij polak Andrzej Duda dhe duke trajtuar çështjen e migrimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Erdoğan dhe Duda përshëndetën lidhjet dypalëshe, ndërsa Duda i përcolli mirënjohjen e tij homologut Erdoğan për “ndarjen e të gjithë njohurive” për pritjen e migrantëve.

“Turqia është një shtet shumë i rëndësishëm në rajon. Ajo ka dhënë shumë kontribute dhe luan një rol të madh për paqen”, tha presidenti polak pas takimit të dy liderëve.

“Tema më e rëndësishme” në diskutimet e tyre ishte lufta Rusi-Ukrainë, tha Duda, duke shprehur “mirënjohje” ndaj Erdoğanit dhe duke thënë: “Unë e di se sa shumë përpiqet ai të sigurojë që paqja të mbizotërojë”.

Ai u bëri thirrje gjithashtu organizatave ndërkombëtare që të bashkojnë përpjekjet për të vendosur paqen në Ukrainë.

Ka shumë mundësi dhe një kapacitet të madh për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, tha Duda.

“Ne kemi përsëritur edhe një herë se shpresojmë që vëllimi ynë tregtar të kalojë shifrën prej 10 miliardë dollarësh”, shtoi ai.

Nga ana e tij, presidenti Erdoğan tha: “Si dy aleatë të NATO-s, ne kemi shkëmbyer mendime (për çështjen e Ukrainës)”.

Ai tha se do të vazhdojë kontaktet e tij për luftën në samitin e ardhshëm të liderëve të NATO-s në Bruksel më 24 mars.

“Si Turqi, ne vazhdojmë përpjekjet tona për të arritur një armëpushim. Në të vërtetë, ministri ynë i punëve të jashtme (Mevlüt Çavuşoğlu) po zhvillon bisedime sot në Moskë. Ai do të shkojë nesër në Ukrainë”, theksoi presidenti turk.

Erdoğan njoftoi gjithashtu se Turqia dhe Polonia synojnë të krijojnë një këshill të nivelit të lartë të partneritetit strategjik për të forcuar më tej lidhjet.

Të paktën 726 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe 1.174 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së. Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut paralajmëron se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë “dukshëm më i lartë”, veçanërisht në territoret që mbeten nën kontrollin e qeverisë ukrainase.

Më shumë se 3 milionë refugjatë kanë ikur në vendet fqinje, sipas organizatës globale.

Kategoritë
BotaLajme